Telegrafi

Diplomati i arratisur i Koresë së Veriut është bërë zëvendësministër në Korenë e Jugut

Ish-diplomati i Koresë së Veriut, Tae Yong-ho është emëruar lideri i ri i kabinetit këshillues të presidentit të Koresë së Jugut.

Kështu, Yong-ho u bë zyrtari më i lartë që dezertoi nga Koreja e Veriut në Korenë e Jugut. Në fakt, mijëra njerëz kanë ikur nga një vend në tjetrin, por ai u bë personi i parë që mori postin e zëvendësministrit.

Yong-ho, 62 vjeç, ishte zëvendësambasadori i Phenianit në Britani të Madhe përpara se të ikte në Korenë e Jugut në vitin 2016. Pheniani e quajti atë “llum njerëzor” dhe e akuzoi për përvetësim të fondeve shtetërore dhe krime të tjera.

Zyrtari u bë ish-qytetari i parë i Koresë së Veriut që fitoi një vend në Asamblenë Kombëtare të Koresë së Jugut në vitin 2020. Megjithatë, ai nuk arriti të sigurojë një mandat të dytë në zgjedhjet parlamentare në muajin prill, por falë rolit të ri, ai do të këshillojë zyrën e presidentit të Koresë së Jugut ,Yoon Suk Yeol për ribashkimin paqësor të Koresë.

“Ai është personi i duhur që do të ndihmojë në vendosjen e një politike të bashkimit paqësor të bazuar në demokracinë liberale dhe ai do të marrë mbështetje nga vendi dhe jashtë”, njoftoi zyra presidenciale, shkruan bbc.

Ky zyrtar ka lindur në vitin 1962 në Phenian, hyri në shërbimin e jashtëm kur ishte 27-vjeçar dhe punoi për tre breza të dinastisë Kim në pushtet për gati tre dekada. Ai më parë tha se kishte vendosur të largohej nga Koreja e Veriut sepse nuk donte që fëmijët t’i rriste në kushte të mjerueshme. Ai shprehu neverinë për regjimin e Kim Jong-un dhe admirim për demokracinë e Koresë së Jugut.

Tensionet midis dy vendeve janë rritur në muajt e fundit, me Seulin që ka vazhduar propagandën ndaj Phenianit të premten në përgjigje të dërgimit të mijëra balonave me plehra. Imazhet satelitore tregojnë se Koreja e Veriut po forcon praninë ushtarake dhe po ndërton mure përgjatë kufirit me Korenë e Jugut.

Deri në dhjetor të vitit të kaluar, 34 mijë njerëz kishin ikur nga Koreja e Veriut në Korenë e Jugut. /Telegrafi/