Telegrafi

Diplomatët rusë kalojnë kufirin e Koresë Veriut me një karrocë hekurudhore, e cila ishte shtyrë me duar

Një grup diplomatësh rusë dhe familjet e tyre kanë bërë një largim të pazakontë nga Koreja e Veriut me një karrocë hekurudhore të shtyrë me dorë për shkak të masave të rrepta të COVID-19.

Sipas BBC, përcjell Telegrafi, tetë personat udhëtuan me tren dhe autobus para se të dilnin përtej kufirit rus për rreth 1 kilometër me një karrocë mbi shinat e trenit.

Koreja e Veriut ka bllokuar shumicën e llojeve të transportit për të kufizuar përhapjen e coronavirusit.

Vendi pohon se deri më tani nuk ka konfirmuar ndonjë rast nga sëmundja e COVID-19, mirëpo vëzhguesit e kundërshtojnë këtë pretendim.

Që nga fillimi i vitit të kaluar, Koreja e Veriut ndaloi operimin e trenave dhe të vagonëve për hyrje dhe dalje nga vendi.

Si shkak i masave preventive kundër pandemisë, shumica e fluturimeve ndërkombëtare gjithashtu u ndaluan. /Telegrafi/