Telegrafi

Dinamo Zagreb eliminoi Hajduk Splitin, kaos pas ndeshjes me tifozët që u futën në fushë

Dinamo Zagreb dhe Rijeka do të luajnë në finalen e Kupës së Kroacisë, pasi të dy ekipet morën fitore si mysafir në gjysmëfinale.

Dinamo mundi 1-0 Hajdukun në Poljud, ndërsa Rijeka eliminoi Lokomotiva Zabregin.

Në deri kroat, shënues ishte Sandro Kulenović në minutën e 15-të të ndeshjes, ndërsa te Hajduku debutoi Ivan Perisic, i cili hyri në lojë në minutën e 72-të.

Dyshja shqiptare, Emir Sahiti (Hajduk) dhe Arbër Hoxha (Dinamo Zgreb) luajtën në pjesën e dytë të kësaj ndeshje.

Pas ndeshjes, ndodhi një incident kur Torcida, dukshëm e inatosur për rezultatin e dobët të ekipit të saj, arriti të çajë gardhin në tribunën veriore dhe u vërsul në fushë në numër të madh tifozësh.

Lojtarët kur e panë këtë gjë u larguan drejt dhomave të zhveshjes dhe anëtarët e Torcidës vrapuan drejt tribunës ku ndodheshin “Bad Blue Boys”, tifozët e Dinamo Zagreb.

Megjithatë, me një reagim shumë të shpejtë, policia ka parandaluar trazirat e mëdha.

Policia ka rrethuar me sukses tifozët e Hajdukut dhe i ka kthyer në veri të stadiumin ku qëndronin gjatë ndeshjes.

Finalja mes Dinamo Zagreb dhe Rijeka, do të luhet në dy ndeshje. E para do të zhvillohet më 15 maj, ndërsa e dyta më 30 maj. /Telegrafi/