Telegrafi

Dinamo kaloi dy rangje brenda dy viteve, tani janë befasia më e këndshme në Grupin A, Çerkini: Ambiciet e klubit po rriten dita ditës

Patën shumë ankesa për ndryshimin e Grupit, pasi nga B dolën në A përmes një shorti në FFK. Megjithatë në këtë fillim nuk po duket aspak problem as Grupi A për skuadrën ferizajase FC Dinamo.

Një histori e bukur vije nga Ferizaj, pasi kjo skuadër nga rangjet më të ulëta tani janë në Ligën e Parë dhe kryesojnë në Grupin A pas një starti fantastik.

Ndonëse e nisën me barazim pa gola ndaj Vëllaznimit, kjo nuk uli moralin e ekipit të Dinamos, madje ata u rikthyen fuqishëm duke fituar më pas katër ndeshje radhazi, me fitoren e fundit në udhëtim ndaj Phoenixit.

 

Rreth kësaj serie pozitive të rezultateve, synimeve të klubit, atmosferës në ekip, e shumëçka tjetër, flet në një intervistë për Telegrafin, kryetrajneri i Dinamos, Burim Çerkini.

Sa i përket startit të sezonit, Çerkini tregon se kanë bërë disa përforcime gjatë afatit kalimtar dhe vlerëson karakterin dhe angazhimin e lojtarëve  të tij.

“Kemi bërë disa përforcime me qëllim krijimin e një ekipi konkurrues për pjesën e epërme të tabelës dhe jemi munduar ta rrisim nivelin brenda ekipit, duke e ditur se sa e fortë është konkurrenca në grupin A. Lojtarët kanë treguar karakter dhe angazhim maksimal dhe performanca e tyre dita ditës është në ngritje e sipër”, ka thënë fillimisht trajneri Çerkini.

Tekniku ferizajas në vazhdim thotë se arsyeja kryesore pse ekipi që ai drejton gëzon këtë formë, është disiplina që po mbizotëron në kampin e Dinamos.

“Stafi ynë jemi shumë të kënaqur, lojtarët po japin maksimumin e tyre dhe disiplina është në nivel të lartë, andaj nuk ka se si të mos mungojnë rezultatet e mira”, u shpreh Çerkini.

Sa i përket ambicieve dhe qëllimeve të klubit, Çerkini shton se ata janë në rrugën e duhur, por ia lë kohës që ta dëshmojë se deri ku do të arrijë ekipi i Dinamos këtë sezon.

“Ne jemi duke i marrë ndeshjet të gjitha një nga një dhe duke e përgatitur ekipin për ndeshjen e radhës. Ambiciet e klubit asnjëherë nuk janë fikse, me rezultate të mira rriten edhe ambiciet. Dinamo siç dihet për dy vite ka arritur ti kaloj dy liga, kjo krejt falë angazhimit dhe punës së palodhshme”, u shpreh ai.

Tutje, Çerkini shpreh mirënjohjen e tij edhe për bordin e klubit, duke thënë se ata kanë luajtur një rol vital në mobilizimin e klubit ferizajas.

“Kemi një organizim mjaft të mirë, duke filluar nga kryetari i klubit, e deri tek drejtori Genc Hyseni i cili qëndron vazhdimisht afër nesh dhe na jep një ndihmesë të madhe”, u deklarua Çerkini.

Në fund, Çerkini foli edhe për ekipet rivale, duke përmendur disa prej tyre si ato që kanë aftësi të rivalizojnë Dinamon për inkuadrim në Superligë.

“Rivalët kryesor për inkuadrim në Superligë janë ekipet me nam të madh në Kosovë siç janë Trepça 89’, Vëllaznimi, Drenica si dhe Suhareka që ka një organizim shumë të mirë, por normalisht pa i përjashtuar edhe ekipet tjera, sepse ky grup mund të themi lirisht është një ‘Minisuperligë’, ku secili ekip mund të mposht njëri-tjetrin”, përfundoi Çerkini./Telegrafi/

Standings provided by Sofascore