Telegrafi

Dilemat shqiptare ndaj euros: të ndëshkuar apo privilegjuar?

Vendimi i fundit i Bankës Qendrore Evropiane për të rritur normën bazë të interesit për euron me 0.25% duke e çuar atë në 4.25%, si rrallëherë, ka ngjallur një interesim e vëmendje të madhe edhe në Shqipëri. Pa kaluar as 24 orë nga marrja e këtij vendimi nga autoriteti i politikës monetare evropiane në Frankfurt, pothuajse i gjithë shtypi dhe televizionet shqiptare reaguan me analiza dhe komente të cilat ishin shumë më tepër se thjesht lajm për këtë vendim të BQE.

Përtej retorikës së përgjithshme se tashmë po ndihemi gjithnjë e më tepër një vend i Bashkimit Evropian, duhet vlerësuar fakti se media, sistemi financiar, konsumatorët dhe biznesi shqiptar po bëhen gjithnjë e më të ndërgjegjshëm për problematikën ekonomiko-financiare evropiane, për ndikimet e drejtpërdrejta që ajo ka në vendimet dhe efektet e jetës sonë të përditshme.

Në mënyrë të veçantë, bizneset dhe huamarrësit shqiptarë duhet ta ndiejnë dhe kuptojnë plotësisht se të marrësh hua në një monedhë të caktuar, në rastin konkret në euro, nuk do të thotë thjesht të nisesh nga interesi apo përfitimi i çastit në lidhje me përqindjen e interesit për kredinë apo depozitat. Përveç kësaj, është jetike të analizosh me kujdes edhe disa e elemente të tjera si tendencat që pritet të ketë kjo monedhë në muajt apo vitet e ardhshme, vlerën e këmbimit me lekun, burimin kryesor të të ardhurave individuale, rekomandimet e Bankës Qendrore apo institucioneve të tjera të specializuara në konsulencë financiare për monedhën më të përshtatshme për kushtet e çdo kredie etj.

Jashtë këtij detyrimi nuk mbeten as bankat tregtare për t‘i informuar dhe sqaruar sa më mirë kreditorët e tyre për rreziqet apo implikimet e mundshme afatmesme e afatgjata që ata mund të kenë në raport me monedhën që marrin kredinë.

I gjithë ky arsenal masash e detyrimesh do të ishte një kontribut më shumë edhe në uljen e përqindjes së kredive me risk në gjithë sistemin tonë bankar e financiar. Shtrenjtimi i fundit i huave në euro sjell edhe njëherë në vëmendje problemin e mbizotërimit të kredisë në valutë në sistemin bankar shqiptar. Banka e Shqipërisë u ka kërkuar me këmbëngulje bankave të promovojnë më shumë kredinë në lekë, për të shmangur rrezikun e kursit të këmbimit. Gjithashtu, duhet të mos harrojmë dhe dukurinë tjetër se ekonomia shqiptare është sot rreth 30-35% e euro-izuar dhe një pjesë jo e parëndësishme e bizneseve i mbajnë llogaritë dhe bilancet e tyre në euro, pa harruar faktin se rreth 80% e tregtisë ne e zhvillojmë në zonën euro dhe me partnerë evropianë.

Pse vendimi i BQE për rritjen e normës bazë të interesit prek direkt debitorët shqiptarë? Sepse ky veprim nuk ka vetëm ndikim në Evropë. Pothuajse të gjitha bankat në Shqipëri e kanë të bazuar normën e interesit te norma bazë e Bankës Evropiane. Në mënyrë të përgjithshme mund të thuhet se huamarrësit shqiptarë në euro kërcënohen direkt apo indirekt nga shtrenjtimi i huave që tashmë i kanë marrë. Aktualisht, të gjithë ata që kanë marrë një hua në monedhën evropiane sot duhet të paguajnë më shumë se disa muaj më parë. Duke filluar nga muaji mars i këtij viti, euribori, ose norma e interesit të euros në tregun ndërbankar ka ardhur vazhdimisht në rritje, ndërkohë që është pikërisht ky tregues mbi të cilin llogaritet norma e interesit i kredive në euro.

Së fundi, vlera e euriborit me maturim njëvjeçar arriti në shifrat 5.4% nga 4.5% që rezultonte rreth 4 muaj më parë. Pasojë direkte e kësaj është madhësia e normës së interesit në kreditë në euro, të cilat llogariten si vlerë e euriborit plus normën e interesit që aplikojnë bankat. Në rastin konkret, norma mesatare e interesit për kreditë në euro nga rreth 8.5% që ishte në fillim të marsit të këtij viti pritet të shkojë menjëherë në 9.4% në javët në vazhdim, edhe kjo, nëse BQE nuk do të realizojë një rritje tjetër të normës bazë të interesit në muajt e ardhshëm. Shtrenjtimi i kredive në funksion të rritjes së vlerës së euriborit përbën një shqetësim më shumë për individët apo bizneset që kreditë e tyre i kanë marrë në euro. Dhe në rastin e Shqipërisë, mbi 70% e portofolit të kredive të sistemit tonë bankar është në euro. Kjo situatë duhet ndjekur e menaxhuar me kujdes e transparencë, sepse masiviteti i kreditimit në euro, në kushtet e rritjes së normës së interesit nga BQE, por dhe nga rritja e inflacionit në vendet e eurozonës mund të jetë një risk më shumë si për kredimarrësit ashtu dhe për bankat tregtare.

Si mund ta shpjegojmë vendimin e fundit të BQE dhe cilat janë perspektivat e mundshme për muajt në vazhdim? Për herë të parë që nga krijimi i eurozonës, inflacioni në Evropë arriti nivelin rekord prej 4%. BQE, e cila si objektiv kryesor të saj ka pikërisht mbajtjen nën kontroll të inflacionit dhe nivelin e çmimeve u trembet tensioneve inflacioniste të lidhura me çmimet e produkteve agroushqimore dhe çmimet gjithnjë në rritje të naftës që së fundi kaloi dhe kufirin e 145 USD/fuçi, duke shënuar kështu një rritje prej 40% të çmimit në raport me fillimin e vitit. Por më shumë se kaq, BQE i trembet një "kontaminimi" të përgjithshëm të ekonomisë së saj nga ky fenomen si pasojë e efekteve të ashtuquajtura "të raundit të dytë e të tretë". Tashmë, Presidenti i BQE e ka bërë më se njëherë të qartë se "prioriteti kryesor i Bankës Qendrore Evropiane është lufta kundër inflacionit".

Rritja e inflacionit që mund të çojë edhe në një ngadalësim të rritjes ekonomike në Evropë po bëhet shqetësimi kryesor i udhëheqësve evropianë. "Kjo është një preokupim i madh për Evropën", deklaron Joaquin Almunia, komisari evropian për çështjet ekonomike dhe financiare, duke shtuar se "duhet evituar pa tjetër një spirale e mundshme inflacioniste dhe efektesh të raundit të dytë", duke i dhënë kështu mbështetje të plotë vendimit të fundit të Jean-Claude Trichet. Në të njëjtat pozicione është dhe J.C. Juncker, President i Eurogrup-it kur shprehet se "ky është një shqetësim i rangut të lartë", që kërkon vëmendje maksimale.

Gjithçka është e lidhur me një situatë të vështirë të përgjithshme botërore dhe jo thjesht me ekonominë evropiane. Sipas ministrit belg të Financave, Didiers Reynders, "kjo situatë, përveç Evropës duhet të bëjë që të reflektojnë edhe vendet prodhuese të naftës…sepse një inflacion i lartë që mund të çonte drejt një krize ekonomike Evropën nuk është aspak në interesin e vendeve prodhuese të energjisë". Nga ana e saj, edhe Banka Ndërkombëtare e Rregullimeve ose siç quhet ndryshe "Banka Qendrore e Bankave Qendrore", duke u shqetësuar për faktin se "rritja e çmimeve po kërcënon ekonominë botërore duke marrë kështu përmasa planetare", nuk përjashton mundësinë që "ekonomia botërore të njohë një fazë negative me pasoja dhe shumë më të gjatë sesa parashikimet e sotme".

Duke vlerësuar faktin se "tensionet inflacioniste nuk kanë qenë kurrë kaq të forta e evidente sesa sot", ekspertët e kësaj banke mbështesin politikën e shtrënguar monetare të BQE dhe u rekomandojnë Bankave Qendrore që të ngrenë normat e tyre të interesit duke i lënë monedhat që të rivlerësohen në vendet ku presionet e kërkesës globale mbeten të forta".

Por, kjo rritje e normës bazë të interesit për euron nuk është pritur njësoj nga të gjitha vendet evropiane. E pranuar më me lehtësi nga Gjermania, Austria dhe Holanda, ajo është parë me sy kritik menjëherë nga Franca, Spanja, Italia dhe Irlanda, vende që këtë vit po ndeshen me një ngadalësim të rritjes së tyre ekonomike. Presidenti francez, Nicolas Sarkozy, i ka sugjeruar BQE që ajo të "shtrojë për diskutim edhe problemin e rritjes ekonomike në Evropë, duke mos u kufizuar vetëm me kontrollin e çmimeve dhe inflacionit".

Edhe ministri gjerman i Financave, Peer Steinbruck, ndonëse me një ton më të zbutur dhe sugjerues ka shprehur shqetësimin e tij se "BQE duhet të reflektojë më shumë për pasojat e rritjes së normës bazë të interesit për ekonominë evropiane në përgjithësi". Për qeveritë e disa vendeve evropiane, "me vendin e saj të fundit, BQE rrezikon ta thellojë efektin e koniunkturës së papërshtatshme ekonomike e financiare në Evropë". Shtrenjtimi i kostos së kreditit mund të penalizojë bizneset apo individët debitorë dhe mund të frenojë gjithashtu zgjerimin e investimeve në ekonomi". Përveç kësaj, "një rritje e normës bazë të interesit pritet të ketë si efekt forcimin e mëtejshëm të euros dhe penalizmin e eksporteve evropiane".

Por, a kishte zgjidhje tjetër BQE? Objektivi dhe mandati i saj kryesor i shkruar në traktatin e Maastricht-it është pikërisht "garantimi i stabilitetit të çmimeve", ndërkohë që treguesit aktualë të inflacionit në Evropë dhe parashikimet për muajt e ardhshëm janë tejet shqetësuese. Në të njëjtën linjë me BCE po veprojnë dhe shumë banka të tjera qendrore.

Kështu, p.sh., Banka Qendrore e Suedisë e rriti gjithashtu në 4.5% normën e interesit për koronën suedeze, duke shënuar kështu nivelin më të lartë të 12 viteve të fundit; Banka Qendrore e Danimarkës e rriti me 0.2% normën e interesit duke e çuar në 4.6%; në Angli kjo normë është aktualisht 5%; në Indi është 8.5% etj. Autoritetet më të larta monetare të shumicës së vendeve të botës po përballen me një dilemë të vështirë. Që prej verës së vitit të kaluar ato po përplasen me një krizë financiare dhe krediti që vazhdon të zgjerohet e thellohet duke prodhuar si pasojë kryesore ngadalësimin e frikshëm të ekonomisë botërore.

Ndërkohë, Bankat Qendrore duhet të menaxhojnë edhe një kërcënim të dytë, atë të përhapjes në një shkallë botërore të inflacionit si pasojë e çmimit të naftës dhe produkteve agroushqimore. Këto dy "plagë" kërkojnë "mjekime" diametralisht të kundërta me njëri-tjetrin: të ngresh përqindjen bazë të interesit për monedhat përkatëse për të eliminuar spiralen inflacioniste?…apo, të ulësh përqindjen e interesit për të mbështetur aktivitetin ekonomik dhe bizneset apo familjet tashme debitore në banka e institucione të ndryshme financiare?

Vendimi i fundit i BQE dhe shumë bankave të tjera qendrore duket se është në favor të eliminimit të spirales inflacioniste, duke e konsideruar atë më të rrezikshme sesa "mungesa e përkohshme e mbështetjes për rritjen ekonomike. Sipas Jean-Claude Trichet, "ekonomia evropiane ka themele të forta….edhe n.q.s. rritja ekonomike e saj mund të reduktohet pak, gjithsesi ajo do të vazhdojë"… rritja apo moskontrolli i inflacionit është shumë më e rrezikshme për ekonominë evropiane dhe atë botërore…sakrifica që ne po bëjmë sot, do të na garantojë një stabilitet çmimesh në një periudhë afatmesme, përfundon Trichet.

Të gjitha këto arsye e argumente që çuan në rritjen e interesit bazë të euros nga ana e BQE duhet gjithashtu të bëhen sa më shpejt objekt i një debati profesional e politik edhe në Shqipëri që problemi të mos reduktohet vetëm tek interesi që paraqet për biznesin dhe ekonominë shqiptare rritja apo ulja e vlerës së euros, por, mbi të gjitha, ndjekja me kujdes e tendencave botërore e evropiane në fushën e ekonomisë dhe financave për t‘u paraprirë në kohë efekteve të tyre.

Në këtë mënyrë, ne nuk do të bëhemi thjesht absorbues të "faktit të ndodhur" apo në rastin më të mirë, këshillues për t‘u prekur sa më pak nga këto dukuri, por do fillojmë të jemi aktorë më aktivë në parashikimin e fenomeneve, do jemi më cilësorë në vendimmarrjen e brendshme, do jemi më të qartë e më të drejtë në analizat shkencore e mediatike për këtë grup problemesh jetike për të sotmen e të ardhmen e ekonomisë, financave dhe fuqisë blerëse të konsumatorëve tanë./Shqip/