Telegrafi

Dikush po dëmton pronat publike në Fushë Kosovë, reagon komuna

Gjatë ditës së premtë, nga komuna e Fushë Kosovës, është bërë e ditur se dikush po shkakton dëme materiale në pronat publike, saktësisht në parkun afër gjykatës.

Në një njoftimi nga komuna, këta të fundit apelojnë nga organet e kompetente që të zbardhet rasti dhe keqbërësit të marrin dënimin e merituar.

“Këto ditë nga persona tash për tash të panjohur janë shkaktuar dëme materiale në Parkun afër Gjykatës dega në Fushë Kosovë. Andaj, Komuna e Fushë Kosovës apelon te organet kompetente që të bënë zbardhjen e këtij rasti sa më parë me qëllim që keqbërësit të marrin dënimin e merituar për shkak të dëmtimit të pronës publike”, thuhet në njoftim.

Tutje në njoftim thuhet se tanimë kanë nisur hetimet në terren.

“Të gjithë ata që dëmtojnë pronën publike do të identifikohen nga Policia e Kosovës, të cilët veçse kanë nisur menjëherë hetimet në terren. Komuna e Fushë Kosoës apelon tek të gjithë qytetarët e saj që të përkujdesen sa më shumë për hapësirat publike kudo që janë ato. Pra, të mbrojmë qytetin tonë së bashku duke ruajtur pronën publike”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/