Ish-mesfushori i Manchester United dhe Kombëtares së Brazilit, Anderson, po përballet me akuza të shumta penale që e lidhen atë me përfshirje si i dyshuar në një organizatë kriminale që ka të bëjë me mashtrim për kriptovaluta.
Gjithsej tetë persona janë akuzuar për vjedhje të rëndë, mashtrim dhe pastrim parash pas një hetimi të kryer nga autoritetet në Porto Alegre, Brazil.
Grupi akuzohet për përcjellje të paligjshme të fondeve dhe përdorim të operacioneve me kripto për të mbuluar gjurmët e parave.
Për çfarë akuzohet Anderson?
Sipas hetimit, të udhëhequr nga zyra e Prokurorit Publik, Rio Grande do Sul (MP-RS) dhe e quajtur “Operacioni Cryptoshow’, lojtari tani në pension formoi pjesë të një unaze që vidhte dhe pastronte para përmes përdorimit të monedhës virtuale.
Në vitin 2020 apartamenti i Andersonit në Porto Alegre u bastis nga autoritetet dhe u konfiskua kompjuteri i tij personal. Ai më pas konfirmoi se punonte si tregtar kriptosh, por mohoi çdo përfshirje në aktivitete ilegale.
Operacioni në fjalë po heton vjedhjen e prillit 2020 prej 30 milionë dollarësh nga një firmë e madhe industriale braziliane. Kjo shumë, sipas zyrës së Prokurorit, u depozitua në 11 llogari bankare në katër shtete dhe më pas u pastrua përmes blerjes së kriptovalutave si në vend ashtu edhe jashtë saj.
Anderson, ndërkohë, mohon çdo akuzë në këtë çështje dhe do të kërkojë të pastrojë emrin e tij.
“Ka një hetim, Anderson ka thënë se është në dijeni. Por Anderson do të dëshmojë se ai ishte viktimë, jo bashkëpunëtor. Ky është pozicioni i tij”, shpjegoi avokati i ish –lojtarit, Julio Cezar Coitinho Junior për “Globo”.
Anderson kishte bërë emër në “Old Trafford”, ku luajti me sukses për disa vite. /Telegrafi/