Banorët e rrugës “Tringë Smajli” në Prishtinë kanë mbetur pa rrymë për më shumë se tetë orë, për shkak të një zjarri që ka dëmtuar dy trafo të energjisë elektrike në këtë pjesë të qytetit.
Zëdhënësi i KEDS-it, Lulzim Krasniqi ka konfirmuar se ka prishje, ndërsa ka njoftuar se ekipet janë duke punuar në terren.
“Ka prishje. Janë djegur kthinat në dy trafo. Ekipet janë në terren dhe po punojnë vazhdimisht deri në eliminimin e dëmit dhe rikthimin me furnizim për banorët e afektuar në rr. Tringë Smajli”, ka thënë ai për Kallxo.com.
Portali ka raportuar se më 25.09.2024, bodrumi i një ndërtese në këtë rrugë është përfshirë nga zjarri.