Supa me perime, e shoqëruar me spec djegës, shumë mjaltë, kivi, kunguj dhe karota, janë këto elementët e një diete mjaft efikase dhe me shumë funksione
njëkohësisht. Përveçse je në rregull me linjat e trupit tënd, të ndihmon edhe për të mos e ndjerë dimrin dhe gjithashtu të kesh imunitet ndaj sëmundjeve të dimrit. Pikërisht për këtë periudhë të vitit, dietologët propozojnë një dietë, që në një anë na mban trupin në formë dhe nga ana tjetër është një armë e fortë ndaj të ftohtit.
Ushqime që përmbajnë vitaminat; A, C, E dhe D, janë jo vetëm të nevojshme për trupin tonë, por edhe ato që do të na bëjnë të mos e ndjejmë të ftohtin dhe të kemi imunitet ndaj sëmundjeve të kësaj stine. Supa e ngrohtë me perime, e shoqëruar me spec djegës, shumë mjaltë, kivi, kunguj dhe karota. Kjo është dieta kundër të ftohtit, e cila forcon imunitetin tuaj ndaj gripit. Sugjerohet përdorimi i supave të ngrohta me bazë perimet. Mos harroni të përdorni sa më shumë perime dhe fruta të freskëta, që përmbajnë vitaminat A dhe C, si portokall, mandarinë, kivi, spinaq, kungull dhe karotë.
Sigurisht, nuk duhet ta harrojmë as vitaminën E, e cila ndodhet me shumicë e produkte të tilla, si gruri, bajamet, luledielli, arrat, patatet dhe lajthitë. Mjalti konsiderohet si një ndër produktet, që barazohet me kura mjaft efikase. Një nga perimet më të rëndësishme në një dietë është edhe karota, e cila në sajë të betakarotenit, që gjendet në të, krijon antitrupa të cilët krijojnë kushte mjaft pozitive për trupin tonë në dimër. Një tjetër produkt mjaft i rëndësishëm i dietës që sugjerojmë mbetet edhe peshku.