Ushqimi është i lidhur ngushtë me kulturën, traditën dhe familjen. Agjërimi gjatë muajit të Ramazanit nënkupton abstenim nga çdo ushqim apo pije, duke përfshirë dhe ujin, nga agimi deri në perëndim të diellit
Prof. Asst. Dr. Laura Binxhija Qeska
Specialiste e Nutricionit
email: info@lauradiet.net
www.LauraDiet.net
Islami lejon myslimanët të konsumojnë pothuajse të gjitha llojet e ushqimeve të shëndetshme, përveç mishit të derrit dhe produkteve që përmbajnë alkool. Kjo është gjë e mirë për shëndetin, sepse mundëson shumëllojshmëri dhe pasuri për pjatën ushqimore të individit i cili agjëron.
Agjërimi mund të përmirësojë shëndetin në qoftë se përcillet me ushqim të përshtatshëm i cili i plotëson nevojat ditore të organizmit.
Rëndësia e ushqimit gjatë agjërimit
Faktorët kryesor për të qëndruar të shëndetshëm gjatë periudhës së agjërimit janë: ushqimi i larmishëm, lloji i ushqimit që konsumohet, sasia dhe koha e vakteve ushqimore. Duhet patur kujdes që gjatë periudhës kur lejohet konsumimi i ushqimit të mos vjen deri tek mbingrënia dhe futja e ushqimeve që ndikojnë në përkeqësimin e gjendjes shëndetësore.
Të ushqyerit është domosdoshmëri, zgjidhni ushqimet me mençuri
Një ndër shprehitë e gabuara dhe të zakonshme që ndikon në shëndetin është ngrënia e vakteve ushqimore të shpeshta pas vaktit të iftarit dhe më pas fjetja, duke lënë vaktin e syfyrit pa ngrënë dhe duke qëndruar i uritur deri në vaktin e iftarit të ardhshëm. Kjo gjë shkakton probleme të shumta serioze shëndetësore, si rezultat vjen deri tek luhatjet e glukozës në gjak dhe shtypjes gjakut, dehidrim gjatë ditës, lodhje, rraskapitje, mungesë koncentrimi, përgjumje, marramendje dhe gjendje tjera shëndetësore.
Janë dy zgjedhje, zgjedhja e parë që quhet zgjedhje e mençur është, pas vaktit të iftarit të keni aktivitet fizik, shembull një orë ecje dhe pas vaktit të ndërmjetëm, të shkoni të flini më herët dhe të zgjoheni një orë përpara lindjes diellit që ta hani vaktin më të rëndësishëm të ramazanit syfyrin në mënyrë që ta përballoni ditën me energji, shëndet dhe humor të mirë.
Zgjedhja e dytë është, nëqoftëse rrini zgjuar pas vaktit të iftarit, qëndroni inteligjent në veprime, parandaloni vaktet e vogla ushqimore të shpeshta, menaxhoni vetën mos hani çfarë t’ju vie afër, sepse në këtë mënyrë ju do ta anashkaloni vaktin e syfyrit, meqë rast dita e nesërme do t’ju përcjell me problemet shëndetësore të lartë përmendura.
Një faktorë tjetër me rëndësi është gjumi, cikli i gjumit ndryshon gjatë muajit të ramazanit prandaj gjeni kohë të flini, mungesa e gjumit shkakton lodhje, metabolizëm të ngadalësuar, mungesë koncentrimi, ndikon të jeni më pak aktiv dhe ndërlidhet me ngrënie të tepruar, shkakton rritje të niveleve të grelinës dhe ulje të niveleve të leptinës, gjë që ju vë në rrezik për mbi peshë dhe çrregullime hormonale.
Shembull i planit ditor ushqimor gjatë agjërimit
Ju inkurajoj t’i festoni traditat gjatë muajit të Ramazanit me ushqime që ju sjellin rehati dhe gëzim. Ushqimi i balancuar është çelësi për tu ndier të shëndetshëm dhe energjik gjatë ditëve të agjërimit. Një mëngjes i lehtë para lindjes diellit për t’i plotësuar nevojat ditore të organizmit për energji duhet të përfshijë: vitamina, minerale, fibra, karbohidrate, yndyra dhe proteina, shumëllojshmëri ushqimesh të shëndetshme gjatë vaktit ushqimorë, laramani porcionesh të vogla, të cilat i ndihmojnë organizmit në tërësi e sidomos sistemit të tretjes për të funksionuar.
Koha e vakteve
Për personat që agjërojnë rekomandohen dy vakte të mëdha dhe një ose dy vakte të vogla të cilat duhet të përmbajnë të gjitha grupet e ushqimit të pasura me vlera ushqyese.
Vakti i iftarit:
Filloni vaktin e iftarit duke konsumuar ujë, lëngje nga frutat sezonale, ҁajra bimësh dhe hurma ose kumbulla, kajsi të thara. Kjo ndikon në hidratimin tuaj, shuarjen e etjes dhe ju jep energji.
Supa me perime, sallatë të larmishme perimesh të freskëta, mish cilësor sipas preferencës tuaj, (mish pule, gjel deti, peshku, qengji, viçi), oriz integral ose kombinime nga drithërat e plota, perime të gatuara si: brokuli, spinaq, karota, speca, kungulleshka, shoqëroni me ullinj, arra, dhe marinoni me vaj ulliri, hudhra, qep, majdanoz dhe erëza sipas dëshirës dhe shijes tuaj.
Një vakt i ndërmjetëm në mes iftarit dhe syfyrit ju ndihmon të keni energji, shembull: frutat e freskëta sezonale, lëngjet kremoze me fruta dhe frutat e forta si arra, bajame, fëstëk ose ëmbëlsirë e lehtë me fruta do të ishin zgjedhje e mirë. Vaktet ushqimore të pasura me proteina, fibra, vitamina dhe minerale ndikojnë në ngopje për periudha më të gjata, ndërkaq për të ruajtur rezervat e elektroliteve konsumoni: ujë, supa perimesh, çajra pa kafeinë dhe lëngje frutash sezonale, ndihmojnë të qëndroni të hidratuar.
Rikujtim: mos e harroni rëndësinë e aktivitetit fizik, pas një deri dy orësh që keni ngrënë vaktin e iftarit do të ishte ideale të dilni për një shëtitje njëorëshe, ose filloni me 40 minuta fitnes si rezultat do të fitoni qarkullim të mirë të gjakut, oksigjenim qelizor dhe shumë përfitime tjera.
Vakti i Syfyrit:
Konsumoni ujë gjysmë ore para se të hani vaktin e syfyrit.
Drithëra të plota të kombinuara me bishtajore siç janë fasulet e ziera, dhe perime të freskëta. Nëse jeni ngarkuar në vaktin e iftarit përgatitni ushqime të lehta si:
Tërshërë e zier me ujë ose me qumësht, shtoni fruta sezonale (molla, luleshtrydhe, kivi, banane, fruta mali) dhe fruta të forta si: arra, bajame dhe fara kungulli, nga secila në sasi të vogla.
Ose, variantin tjetër të ushqimeve: vezë, ullinj, djathë ose jogurt, bukë integrale. Perime sipas shijes, përgatisni sallatë të larmishme me perime sezonale.
Konsumoni sup me perime dhe çajra pa kafein si: kamomil, menta, hibiskus, xhenxhefil, ҁaj frutash.
Bëni kujdes kur konsumoni kafe ose çaj të zi në vaktin e syfyrit me përbërje kafeine se mund t’ju dehidratojë, ndikojnë të keni etje gjatë ditës dhe shkaktojnë pagjumësi. Nëqoftëse jeni adhurues i këtyre pijeve konsumoni pas vaktit të iftarit.
Gjatë këtyre orëve sa lejohet të hani dhe pini konsumoni më shumë ujë për t’ju mbajtur të hidratuar ditën e nesërme.
Ushqimet që duhet të kufizohen
Kujdes nga ushqimet e njelmëta, të skuqura, të pjekura dhe të ziera në vajra dhe margarinë, të përpunuara, të konservuara, brumërat si pitet, flija, llokumet, ëmbëlsirat me miell dhe yndyra të ngopura, ushqimet me sherbet të sheqerosura, këto ushqime janë të zakonshme në kulturën dhe traditën tonë, nëqoftëse nuk mund ti largoni të paktën kufizoni. Muaji i Ramazanit është një mundësi e mirë për t’i mënjanuar varësit nga këto ushqime.
Vëmendje
Muajin e Ramazanit mund ta agjërojnë të gjithë besimtarët mysliman të rritur.
Përjashtohen fëmijët që nuk kanë arritur pubertetin deri në moshën 18 vjeç, të moshuarit, ata që punojnë punë të rënda fizike dhe mendore, gratë shtatzëna, nënat gjidhënëse, udhëtarët, njerëzit e sëmurë, sidomos me sëmundje kronike të cilët janë nën ndikimin e terapisë mjekësore duhet të kenë kujdes gjatë agjërimit.
Është shumë e rëndësishme koha e konsumimit të ushqimit dhe lloji i ushqimit dhe pijeve sepse mund të ndikoj në ngadalësimin ose mos përthithjen e terapisë mjekësore dhe ndikon në përkeqësim të shëndetit.
Të gjithë besimtarëve myslimanë ju urojmë agjërim të lehtë dhe të shëndetshëm. /Telegrafi/