Telegrafi

Dier konfirmon largimin e Eriksenit: Ka bërë gjithmonë më të mirën, nuk i meriton pakënaqësitë e tifozëve

Christian Eriksen - Eric Dier (Foto: Justin Setterfield/Getty Images/Guliver)

Mesfushori i Tottenham Hotspur, Eric Dier i ka bërë lavde danezit Christian Eriksen, i cili pritet të zyrtarizohet në ditët e ardhshme si lojtar i Interit.

Gjatë mbrëmjes së enjte raporte të shumta të mediat pohuan se Interi dhe Spurs janë marrë vesh dhe Eriksen së shpejti do të paraqitet për teste mjekësore.

Dier është i lumtur për aventurën e re të Eriksenit dhe insiston se nuk duhet të ketë pakënaqësi nga tifozët drejt mesfushorit.

“Nuk ka asgjë negative për të thënë për Eriksenin. Unë kam qenë këtu pothuajse për aq kohë sa ai ka, dhe ai ka bërë gjithmonë më të mirën”, ka thënë fillimisht Dier.

Dier dhe Eriksen janë miq të mirë (Foto: Catherine Ivill/Getty Images/Guliver)

“Ai është një nga lojtarët më profesionistë që njoh dhe një nga lojtarët më të mirë në Tottenham në një nivel të qëndrueshëm”.

“Çfarëdo që ai ka bërë, ai e ka bërë atë me qëllimet më të mira, kështu që ai nuk i ka merituar fishkëllimat e tifozëve”, përfundoi anglezi. /Telegrafi/