Mesfushori i Prishtinës, Diar Miftaraj, ka folur para ndeshjes me Trepçën ’89, duke e kujtuar rastin që i ndodhi me Valmir Veliun, i cili pas përplasjes kokë me kokë shkoi në spital.
Mesfushori i “heshtur” që në fakt është ‘motori’ i skuadrës, sidomos në këtë edicion ku ka pasur 28 paraqitje dhe dy gola kampional.
“Përplasjen fatkeqe që pata me Valmir Valiun po e ndjej ende, e kam një të qarë në kokë, por s’është asgjë para asaj që Valmiri tani është mirë dhe kjo më ka gëzuar më së shumti”.
“I uroj edhe njëherë që sa më shpejtë të shërohet e t’i rikthehet fushës e mos u përsërit kurrë më”, ka thënë mesfushori bardhekaltër.
Ai foli edhe për takimin me Trepçën ’89 ku pret fitore të sigurt.
“Nesër kemi ndeshje jetike, shpresoj të jemi në formën e mirë sikur në ndeshjen me Llapin dhe normalisht pres fitore të sigurt”.
“Normalisht, është kundërshtar i vështirë dhe s’duhet harruar që na kanë eliminuar për Kupë, megjithëse me shumë fat, sepse në 120 minuta patëm krijuar shumë raste shënimi, por besoj shumë se nesër do t’u kthejmë e t’i mposhtim e të vazhdojmë rrugës tonë drejt qëllimit ku e kemi”, ka thënë Miftaraj./Telegrafi/