Telegrafi

Diabeti gjatë shtatzënisë dhe fëmija i nënës me diabet

Ass. dr. Alije Keka-Sylaj

Diabeti është sëmundje e shkaktuar nga çrregullimi endokrin i funksionit të pankreasit. Pankreasi është një gjëndër shumë e rëndësishme në organizmin e njeriut ku prodhohet insulina – hormon i cili e rregullon nivelin e glukozës në gjak. Insulina ndihmon hyrjen e glukozës në qelizat trupore e që e shfrytëzojnë atë si burim të energjisë dhe rritjes. Tek diabetikët prodhimi i insulinës është i zvogëluar (tipi 1), ose nuk vepron në organe (tipi 2).

Çka është diabeti gestational?
Shtatzënia mund të jetë e shoqëruar me diabetin, qoftë kur gruaja është diabetike dhe mbetet shtatzënë apo kur diabeti lajmërohet gjatë shtatzënisë- diabet gestational. Ky diabet mund të paraqitet pasiqë disa hormone të placentës të cilat prodhohen gjatë shtatzënisë bllokojnë veprimin e insulinës se nënës, si pasojë kemi rritjen e nivelit të glukozës në gjakun e nënës. Kur niveli i glukozës rritet në gjakun e nënës, rritet poashtu edhe në gjakun e frytit, sepse, glukoza kalon përmes placentës në gjakun e frytit. Trupi i fëmijës prodhon insulinën vetanake. Nëse niveli i glukozës është i lartë, te fëmija prodhohet më tepër insulinë për ta mbajtur atë në nivel normal. Diabeti gestational zakonisht lajmërohet në muajt e parë të shtatzënisë dhe shpesh mund të kontrollohet me ushqim dietal, por, ndonjëherë nevojitet edhe marrja e insulinës. Nëse shtatzëna ka qenë diabetike para shtatzënisë, atëherë, ajo gjatë shtatzënisë duhet të merr insulinë.

Kush janë më të rrezikuarat?
Çdo shtatzënë mund të sëmuret nga diabeti, por rrezik më të lartë paraqesin gratë e familjarëve që vuajnë nga diabeti, ato që kanë mbipeshë para shtatzënisë, si dhe gratë që mbesin shtatzënë në moshë të shtyrë (mosha mbi 35 vjeçare).

Cilat janë format e diabetit që mund të paraqiten gjatë shtatzënisë?
Varësisht nga pasqyra klinike dhe laboratorike dallojmë disa forma të sëmundjes që mund të lajmërohen te gratë shtatzëna; ▪ prediabeti ose diabeti potencial – kur nuk kemi as shenja klinike as laboratorike, por për shkak të historisë familjare mund të pritet paraqitja e diabetit, ▪ diabeti latent – ku niveli i glukozës mund të rritet në gjendje stresuese, ▪ diabeti laboratorik – kur niveli i glukozës në gjak është i rritur, por nuk ka shenja klinike,
▪ diabeti gestatik – ku kemi çrregullim të tolerancës së glukozës gjatë shtatzënisë, pas një testi diagnostik (OGT-testit). ▪ diabeti manifest – ku kemi simptoma të qarta klinike të sëmundjes, si: polifagia (ngrënia e tepërt), polidipsia (pirja e tepërt), poliuria (urinim i shpeshtuar) të cilat i përcjell hiperglikemia (niveli i rritur i glukozës në gjak).

Si mund ta kuptoj një nënë shtatzënë që vuan nga diabeti?
Nëse nuk keni diabet manifest me simptoma të lartpërmendura, por, keni infeksione të shpeshta bakteriale të rrugëve urinare (urinim të shpeshtë dhe djegie gjatë urinimit), si dhe infeksione mykotike të organeve gjenitale (kruarje dhe sekret të shtuar vaginal), keni mbipeshë apo fitoni shpejt peshë gjatë shtatzënisë, keni pasur më parë aborte spontane apo vdekje intrauterine të frytit, keni lindur më parë fëmijë me peshë mbi 4kg apo edhe keni lindur vet fëmijë me peshë të madhe, keni tension të lartë të gjakut, familjar nga diabeti, atëherë, duhet të bëni analizat e nevojshme laboratorike për të vërtetuar nëse vuani nga diabeti gestational.

Çfarë ekzaminimesh duhen bërë shtatzëna?
Është shumë e rëndësishme që çdo grua shtatzënë pas verifikimit të shtatzënisë, domosdo, të kryej edhe analizat rutinore laboratorike të gjakut dhe urinës. Konfirmimi i diabetit të mundshëm mund të bëhet edhe përmes OGT-testit (testi i ngarkesës me glukozë).

Si ndikon shfaqja e diabetit?
Niveli i tepërt i glukozës në gjak bart pasoja si për nënën, ashtu edhe për frytin. Nëse nëna me diabet gestational nuk e mban nën kontroll nivelin e glukozës në gjak, ajo mund të ketë mjaft probleme, si infeksione të shpeshta, dëmtime të enëve të gjakut, të veshkave, retinës, komplikime kardiovaskulare me rritje të tensionit dhe pasoja të tij, dëmtime të nervave, e nëse shtatzënia vazhdon deri në fund, për shkak të frytit të madh, ato zakonisht kanë lindje të vështirë me pasoja si për frytin ashtu edhe për nënën.

Çka ndodh me fëmijën e nënës diabetike?
Fëmijët e lindur nga nëna diabetike kanë shpeshtësi më të lartë të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë për shkak të:
* Anomalitë kongjenitale (anencefalia, spina bifida, anomalitë e sitemit urinar, anomalitë e sistemit kardiovaskular, anomalitë e sistemit gastrointestinal) – që janë më të shpeshta kur niveli i glukozës në gjak është i lartë gjatë tremujorit të parë të shtatzënisë,
* Makrosomia (fëmija me peshë të rritur), çrregullimet neonatale të elektroliteve ose kardiomegalia (rritja e zemrës), që janë pasoj e hiperglikemisë së nënës në muajt e fundit të shtatzënisë,
* Rregullimi i rritjes fetale – fëmija mund të jetë shumë i rritur për moshë (makrosomia) -për shkak të ndikimit të nivelit të rritur të glukozës dhe insulinës, ose mund të jetë shumë i vogël për moshë (mikrosomia) – tek gratë që paraprakisht kanë vuajtur nga diabeti për një kohë të gjatë.
* Sëmundjet pulmonare, për shkak të papjekurisë së mushkërive, si distresi respirator (oksigjenimi i pamjaftueshëm i mushkërive),
* Çrregullimet e metabolizmit dhe elektrolitëve (hipoglikemia, hiperbiluribinemia, hipokalcemia, hipomagnezemia),
* Çrregullimet hematologjike – policitemia, trombocitopenia.

Cilat janë problemet më të shpeshta gjatë lindjes?
Fëmijët e nënës diabetike janë me peshë të madhe dhe gjatë kalimit nëpër kanalin e lindjes mund të pësojnë lëndime të shumta si: lëndime të gërshetimit nervor të dorës (plexus brachialis), fraktura të klavikulës, probleme me frymëmarrje, lëndimet nga mjetet ndihmëse për lindje (forcepsi apo vakuumi),. Prandaj, alternativë më e mirë është lindja e fëmijës me prerje cezariane.

Si të diagnostikohen problemet eventuale tek fëmija i nënës diabetike?
Pas lindjes së fëmijës, duhet të bëhen analizat komplete të gjakut, rëntgeni i toraksit dhe abdomenit, echo e zemrës, ekzaminimi neonatal dhe ortopedik.
Mjekimi i fëmijës – varet nga gjendja klinike, çrregullimet e zhvilluara dhe simptomave, duhet të kontrollohet niveli i glukozës për ta korrigjuar hipoglikeminë eventuale, kontrolli i elektroliteve dhe korrigjimet eventuale, mjekimi i çrregullimeve pulmonare dhe çrregullimeve tjera eventuale, fototerapia tek hiperbilirubinemia eventuale.

Çfarë duhet të ketë parasysh një grua për parandalimin e diabetit dhe problemeve që mund t’i shfaqen asaj dhe fëmijës së saj gjatë shtatzënisë?
Kujdesi në ushqim – t’i shmanget ushqimit i cili përmban karbohidrate me indeks të lartë glikemik (ëmbëlsirave, marmelatave, mjaltit), të ha disa racione (shpesh, por ngapak), ushqimi të jetë sa më i pasur me pemë dhe perime, gjatë ditës të pihen 2-3 litra ujë dhe më pak lëngje të pemëve të pasuruara me sheqer, t’iu shmanget ushqimit të pasur me yndyra shtazore si dhe ushqimi të përmbajë sa më pak kripë.
Shumë lëvizje – të gjitha aktivitetet trupore shpenzojnë energjinë dhe e zvogëlojnë nivelin e glukozës në gjak. Aktivitetet fizike të preferuara gjatë shtatzënisë janë: noti, vrapimi i lehtë dhe ecja (nëse për to nuk ka kundërindikacione tjera).

Nëse niveli i glukozës nuk mund të kontrollohet me dietë, atëherë duhet tretman mjekësor me aplikim të insulinës në mënyrë që të mbrohet shëndeti i nënës dhe fëmijës. /Telegrafi/