Roma ka arritur të shënojë fitoren e tretë radhazi në Serie A.
Giallorosët si vendas kanë triumfuar përballë Torinos me rezultat të ngushtë 3-2.
Nico Zaniolo, Kolarov dhe Stephan El Shaarawy me golat i shënuar i dhanë triumfin Romës.
E për këtë fitore ka folur edhe trajneri i Romës, Eusebio Di Francesco.
Trajneri italian ka thënë se skuadra e tij meritoi fitore më të madhe, por e ndërlikuan atë.
“Kemi mundur të shënojmë fitore edhe më të madhe, por e ndërlikuam ndeshjen”, tha Di Francesco.
“Sinqerisht mund të shënonim më shumë gola që ta mbyllnim takimin sa më parë por kështu është futbolli”.
Tutje trajneri i Romës tha se skuadra e tij është në rrugën e duhur.
“Kjo ishte fitorja e tretë radhazi në kampionat dhe duhet të vazhdojmë me këtë ritëm. Gjithmonë ka vend për përmirësime”.
“Synimi ynë është të luajmë edhe vitin tjetër në Ligën e Kampionëve dhe jemi në rrugën e duhur”, u shpreh Di Francesco.
Me fitoren e arritur ndaj Torinos, Roma ka kaluar në pozitën e katërt në tabelë. /Telegrafi/