Site icon Telegrafi

Dhuna në familje – profili i dhunuesit

Familja tradicionale zakonisht përkufizohet nga sociologët si një grup individësh i lidhur nga gjaku ose nëpërmjet martesës, që jetojnë bashkë, bashkëpunojnë ekonomikisht dhe ndajnë përgjegjësitë për të rritur fëmijët e përbashkët.

Dr. Bujar Berisha
Psikiatër me qasje psikoterapeutike
tel: tel: 045 979 944

Në kohën tonë familja e ka humbur “qetësinë” e cila pritet ta karakterizojë. Ajo është e kërcënuar jo vetëm nga faktorë “tradicionalë” si, vdekja, sëmundjet, katastrofa të ndryshme, varfëria, etj., por dhe ata “jo tradicionalë” si, sjelljet devijante, dhuna, alkoolizmi, përdorimi abuziv i drogës, braktisja, sëmundjet seksualisht të trasmetueshme, etj. Pra, familja është një strukturë që përmbledh një mori marrëdhëniesh dhe rolesh dhe si e tillë është e ndjeshme nga dhuna që ushtrohet brenda saj.

Duke u bazuar në vlerat universale të familjes, Organizata e Kombeve të Bashkuara e përkufizon dhunën në familje si një akt që rezulton, ose ka shumë mundësi të rezultojë në dëmtim fizik, seksual ose mendor duke përfshirë kërcënime ose akte të ngjashme, shtrëngime ose heqje arbitrare të lirisë.

Personi ndaj të cilit është ushtruar dhunë zakonisht i takon gjinisë femërore (bashkëshortja) mirëpo ndodh edhe e kundërta. Sipas disa të dhënave raporti është mjaftë shqetësues, sillet 7:1 në favor të meshkujve dhunues.

Shumë studime të bëra janë marrë edhe me profilin e dhunuesit, faktorët që kanë ndikuar në dhunën familjare si dhe strukturën e personalitetit të tillë.

Duhet theksuar se autorët e krimit kanë profile shumë të ndryshme, ata mund të kryejnë dhunë të përsëritura dhe prandaj rreziku i rishfaqjes është shumë i ndryshueshëm nga njëri subjekt në tjetrin.

Nga aspekti klinik, skematikisht dallojmë profilet:

1. Profili imaturo-neurotike ose të zakonshmit
2. Profili i strukturuar dobët me dobësi të ndryshme: paqëndrueshmëri emocionale, agresiv, disharmonik nga aspekti i karakterit, ziliqar apo frikë nga humbja e objektit
3. Profili rigid mjaft i ndërlikuar, egocentrik, megalomanik dhe paranojak
4. Profili i personit adikt si kategori e veçant

1. Profili Imaturo-neurotik ose të zakonshmit

Përbën subjektin që dallohet me sjellje të papjekur, nganjëherë në normale, ku komponenti i dominimit mashkullor mbi atë femëror është i pranishëm. Këta individ janë të hapur dhe komunikativ pranojnë fajin dhe shprehin doza fajësie në raport me ndodhinë. Përbejnë afërsisht 20% të individëve violent, përcjellja e tyre nga aspekti terapeutik është më e lehtë, dhe janë më pak recidivist.

2. Profili i strukturuar dobët me dobësi të ndryshme: paqëndrueshmëri emocionale, agresiv, disharmonik nga aspekti i karakterit, ziliqar apo frikë nga humbja e objektit

Përfshinë masën më të madhe të individëve violent që karakterizohen me probleme të shumta. Qëndrimi i tyre ndaj fakteve karakterizohet me banalizim ose minimalizim të problemeve. Ata shfaqen në fillim më të shqetësuar në lidhje me pasojat për vetën e tyre se sa të mendojnë për tjetrin. E kanë të theksuar paqëndrueshmërinë emocionale që shoqërohet me sjellje defanzive, vështirësi vetëkritikuese si dhe vështirësi në shprehje të emocioneve dhe verbalizëm. Nga aspekti terapeutik, terapia grupore ka dhënë rezultate pasi që lejon që ata të angazhohen në vetë menaxhim të emocioneve.

3. Profili rigid mjaft i ndërlikuar, egocentrik, megalomanik dhe paranojak

Dhuna është prezente çdo ditë si pasojë e konfliktit. Autori përballet me vështirësi të mëdha për të bërë jetën e tij në mënyrë të pavarur. Në këtë aspekt presioni është i pranishëm në marrëdhëniet e jetës së përditshme. Është e qartë se në këtë grup bëhen raportimet më të shpeshta të dhunës. Viktima në këtë rast kërkon ndarjen apo vendstrehim.

Te këta individ vlerësimi fokusohet në dy akse:
– Së pari ekziston rrezik i lartë i recidivës
– Së dyti, qëndrimi ndaj tretmanit është mjaftë kompleks dhe zakonisht lidhet me detyrim ligjor për trajtim

 

4. Profili i personit adikt

Personi adikt do të definohej individi që është në kërkim të një përvoje të re, në këtë formë u shpëton situatave të pakënaqshme duke shprehur nevojën e ndjenjës se ekziston për të mos u ndier i izoluar dhe pa perspektivë sociale. Ndër tjerash adoleshentët janë veçanërisht të ekspozuar me faktin e kërkimit të identitetit dhe përvojave të reja.

Dështimi në relacionet sociale i bënë edhe më të ndjeshëm, në këtë formë nuk arrijnë të tejkalojnë pengesat sociale, dhe identifikohen me drogën. Qëndrimet e tyre dominohen nga impulsiviteti, tendenca manipulative dhe agresiviteti. Prezantojnë vështirësi integruese duke vene ne radhe te pare produktin si mjet identifikues ndaj raporteve interpersonale.

Duhet theksuar se adiksioni nuk lidhet me rastësinë ai reflekton vështërsitë e personit. Tradicionalisht diferencohën dy tipa të adiktëve: tipi impulsiv dhe kompulsiv.
Për tipin impulsiv droga reflekton nevojën e kënaqësisë imediate ndërsa për kompulsivin reprezanton luftën e brendshme të pandërprerë karshi produktit

Ndërsa sa i përket strukturës psikike distancojmë 3 grupe të mëdha të adiktëve:

1. Adiktët psikotik: Personat që vuajnë nga skizofrenia janë njëkohësisht edhe abuzues të substancave, 10% e tyre futën në Toksikomani
2. Adiktët neurotik: largimi nga ankthi, janë më bashkëpunëtor dhe zakonisht tretmani ka sukses
3. Adiktët psikopat: më të madh në numër dhe më tipikët, karakterizohen me paqëndrueshmëri emocionale, janë manipulator, impulsiv dhe te shprehur delikuencën.

Disa nga tiparët e personalitetit të adiktëve

* Tipi oral, gjithmonë i pranishëm, është shumë evident qe dallohet me jostabilitet emocional duke shprehur lakminë ndaj substancës dhe kërkesa të vazhdueshme për produktin.
* Tipi narcisik, shprehet me një ndjekje të vetëkënaqësisë, në nivel të kënaqësisë së menjëhershme. Ndër tjerash produkti për ta shprehë interesimin për të përmbushur zbrazëtinë narcistike.
* Tipi destruktiv, me dimensione mazohiste, shumë i dobët që të vetë – lëndohet , drogën e percepton si ndërmjetësues.
* Tipat e paqendrueshëm apo anksioz
* Tipat e margjinalizuar shoqëror, me vetë-përjashtimit nga grupi social

Karakteristikat e dhunës në familje nga personat adikt

Shoqërimi mes dhunës në mjedisin familjar dhe përdorimit të substancave është e dokumentuar nga komuniteti i cili është mjaftë i preokupuar karshi kësaj problematike relacionale. Në përgjithësi dy kategori kryesore e dallojnë këtë relacion.

1. Ka një ndërlidhje të fortë në mes të fenomenit të dhunës në familje dhe përdorimit të substancave, dhe
2. Është konstatuar se, intervenimi në njërën kategori shpesh është çrregulluar nga prania e kategorisë tjetër.

Duke u bazuar në këtë, një casje e përgjithësuar e problemit ka dhënë rezultate të frytëshme duke shpresuar në promovim të një vizioni të veprimit ndërdisiplinor dhe të integruar.

Cili do të ishte roli i psikologut, psikiatrit, punonjësit në qendrat e shëndetit mendorë, punonjësit nëpër emergjenca dhe atij psikosocial në implementimin për trajtim të detyrueshëm të kryesit të dhunës në familje?

Mbrojtja nga dhuna familjare nga individët që ushtrojnë dhunë dhe ata që keqpërdorin substancat përbën një nga problematikat aktuale që shoqëria jonë po ballafaqohet. Keqpërdorimi i substancave qon deri në zvogëlim të koshiencës dhe turbullim të vetëdijes me manifestime të sjelljeve të çrregulluara.

Realiteti i dhunës është fenomen shumëfaktorial dhe nuk është lehtë i zgjidhur. Konstatohet se në situata të degraduara ku ka dhunë, ushtrohet ndikimi i dhunuesit si mjet komunikimi në relacionet me tjetrin. Kemi personin që ushtron dhunë dhe viktimën. Në të dyja rastet është i nevojshëm intervenimi psikosocial dhe në disa raste edhe urdhëresa gjyqësore

Nga niveli terapeutik vlerësimi bëhet rast për rast, e nëse është me urdhëresë gjykate, atëherë orientohet për përcjellje të rregullt psikosociale duke respektuar afatet e procedurave gjyqësore dhe gjithashtu duke përfshirë kohëzgjatjen e shqyrtimit gjyqësor.

Teknikisht disa autor të dhunës ecin mirë me terapi individuale, kuptojnë situatën dhe rrallë herë recidivojnë. Ndërsa, kur bëhet fjalë për agresor recidivist, (agresione seksuale) nevojitet terapi më specifike me periudha më të gjata.

Kjo bëhet duke u bazuar në masat mbrojtëse të trajtimit psikosocial që është e paraparë edhe me ligj. Masa mbrojtëse mund të ndryshoj në rastet kur trajtimi nuk jep rezultate ose kur kryerësi i dhunës nuk prezantohet rregullisht në konsulta apo, paraqitet nevoja për ndryshim të masës.

Përcjellje psikosociale e autorit të dhunës:

Përcjellja e autorit të dhunës parashihet përmes masave terapeutike dhe planit të trajtimit institucional. Për këtë plan trajtimi përveçse autorit të dhunës njoftohet me shkrim edhe viktima, familjari apo kujdestari. Gjatë përcjelljes terapeutike bëhet njëkohësisht edhe vlerësimi klinik duke informuar edhe gjykatën me ecurinë e tretmanit përmes raporteve mjekësore të përcaktuara nga gjykata kompetente.

Kur është fjala tek keqpërdoruesit e drogave dhe dhunës ne familje; studime përshkruese të kryera në mesin e individëve me dy probleme: abuzim të substancave dhe dhuna në familje, kanë sqaruar se bashkëveprimi i këtyre dy problematikave ka një ndikim në peshën e abuzimit të substancave apo dhunës në familje. Në mostrat klinike, është gjetur se individët me të dyja problemet tregojnë çrregullime të mëdha në funksionimin e tyre psiko-social dhe psikologjik, në krahasim me individët që kanë njërin problem. Përveç kësaj, individët me probleme më të rënda të konsumimit rrisin rrezikun dhe ashpërsinë e dhunës.

Vlerësimet klinike kanë treguar se rezultate të mira ka dhënë terapia motivuese me faktin se është e shkurtër, dhe ka për qëllim angazhimin e individit duke ndikuar ne motivacion me qëllim të ndikoj në përmirësim të sjelljeve. Qasja tenton të rrisë vetëdijen e individit për problemet potenciale të shkaktuara, mbi pasojat ndaj tjetrit si dhe rreziqet dhe ballafaqimet që kanë ardhë si rezultat i sjelljeve të dhunshme nga abuzimi i substancave.

Terapeuti, në mënyrë alternative, ndihmon pacientin në projektimin e një të ardhme më të mirë duke ndikuar në përforcim të motivimit të tij. Po ashtu, përdoren strategji terapeutike për të ndihmuar individin të mendojë dhe të reagoje ndryshe në raport me sjelljet e tija dhe, vet ai do të jetë në gjendje të konstatoj se çka ka mundur të arrihej nga ndryshimet.

Qëllimet kryesore të intervenimit motivues janë: të vendoset relacioni terapeutik, të rritet vetëbesimi dhe të përforcohet gjuha e angazhimit nga vet individi. Intervistimi motivues është mënyra e komunikimit të drejtpërdrejtë dhe e fokusuar në individin me qëllim ta ndihmoj në modifikim të sjelljes duke forcuar kështu stimujt natyral në zgjidhjen e kundërthënieve. /Telegrafi/

Exit mobile version