Site icon Telegrafi

Dhjetë “mjeshtrit” e penalltive (Video)

Disa lojtarë do të mbahen mend për gabime trashanike nga pika e bardhë, në momente vendimtare, ndërsa disa të tjerë mund të konsiderohen “specialistë” të mirëfilltë.

Le t’i hedhim një sy se cilët janë 10 futbollistët që kanë ekzekutuar më mirë penalltitë në historinë e këtij sporti. 

 

10. Andrea Pirlo
Mesfushori italian është një nga ekzekutuesit më të mirë të penalltive në botën e futbollit. Pirlo, që gjithashtu ekzekuton shkëlqyeshëm edhe goditjet e dënimit, ka marrë disa herë lëvdata për besimin dhe qetësinë me të cilën ka mposhtur portierët më të mirë të planetit. Pirlo shënoi edhe penalltinë e parë për Italinë në finalen e Kupës së Botës 2006, fituar ndaj Francës. 34-vjeçari ka zgjedhur gjithmonë teknikën para forcës kur i është dashur të shënojë nga pika e bardhë e 11-metrave. 

 

9. Ronaldinho
Futbollisti më spektakolar i historisë së futbollit ka qenë edhe një ekzekutues madhështor i penalltive. Ronaldinho, i cili ishte shumë dëfryes për tifozët kur kishte topin në zotërim i tregoi aftësitë nga pika e bardhë që në moshë të re kur 17-vjeç shënoi dy herë me penallti në një ndeshje të botërorit U-17 ndaj Austrisë. 34-vjeçari është specialist i ekzekutimit të goditjeve standarte. Jo vetëm penallti, Ronaldinho i ka vënë në vështirë kundërshtarët edhe me goditje standare dhe goditje nga këndi. 


8. Mikael Ballack

Përveç se ka qenë një nga mesfushorët më të mirë të Gjermanisë në dekadën e fundit, Ballack ka qenë shumë efikas edhe nga pika e bardhë e 11 metrave. Ish-mesfushori i Chelsea dhe Bayern ka zotëruar një teknikë të lartë dhe gjatë karrierës së tij ka shënuar 29 penallti, të gjitha me të majtën. Ballack, që ka shënuar 42 gola në 98 ndeshje të luajtura me Gjermaninë, shënoi edhe për Chelsea në finalen e Champions League ndaj Manchester United, në vitin 2008, kur gabimi i John Terry nga pika e bardhë i kushtoi shtrenjtë londinezëve.
 

 

 

7. Alessandro Del Piero
Italiani kampion bote ka qenë i famshëm për ftohtësinë dhe saktësinë me të cilën ka ekzekutuar penalltitë gjatë karrierës së tij. Ish-sulmuesi i Juventus, i famshëm për faktin që ka qenë gjithmonë në kërkim të perfeksionit, ka realizuar shumë penallti të rëndësishme gjatë karrierës së tij, ku kryesorja ka qenë ajo ndaj Francës në finalen e kampionatit botëror 2006. 39-vjeçari, që aktualisht luan në Indi, ka shënuar 14 dhe ka humbur 1 penallti gjatë karrierës së tij.

 


6. Steven Gerrard

Ish-mesfushori i Liverpool është një tjetër specialist nga pika e bardhë. Gerrard ka pasur një saktësi mbresëlënëse dhe ka shënuar 92% të penalltive të ekzekutuara. Ai ka shënuar 25 gola në Premier League, vetëm një gol më pak se rekordmeni, Le Tissier, që ka shënuar 26 penallti. Kryesisht, penalltitë e anglezit kanë përfunduar në cepin e portës kundërshtare, të goditura me të djathtën. Gerrard ka shënuar disa penallti edhe si pjesë e kombëtares angleze. 

 

5. Cristiano Ronaldo
Cristiano Ronaldo e humbi penalltinë në finalen e Champions League 2008, kur ishte pjesë e Manchester United, por kjo nuk e ka frenuar “CR7” të bëhet një nga ekzekutuesit e 11-metërshave më të mirë në botën e futbollit. Me penallti, Ronaldo ka shënuar edhe golin e parë në karrierë në një Kupë Bote, ndaj Iranit. Deri tani, Ronaldo ka shënuar gjithsej 51 penallti në karrierë duke transformuar në gol 94% të ekzekutimeve. 

 

4. Zinedine Zidane
Legjendari francez ishte “mjeshtër” kur dilte para portierëve kundërshtarë. Zidane do të mbahet mend gjithmonë për mënyrën si e transformoi në gol penalltinë në finalen e Kupës së Botës 2006 ndaj Italisë. Zidane është një nga katër futbollistët që ka shënuar penallti në dy edicione të kampionatit botëror. Jo gjithmonë ka qenë ekzekutuesi i penalltive për ekipet ku ka luajtur, por sa herë ka qenë nevoja për t’u paraqitur nga pika e bardhë, Ronaldo ka qenë gati. 

 

 

3. Frank Lampard
Ish-mesfushori i Chelsea ka qenë një nga ekzekutuesit më të frikshëm të penalltive në botën e futbollit dhe ai ka shënuar një mal me gola gjatë karrierës së tij. 93% e penalltive të ekzekutuara nga Lampard kanë përfunduar në rrjetë. Ai ka shënuar 53 gola me 11-metërsha gjatë karrierës së tij, 43 prej të cilave në kampionatin anglez. Frenk Lampard e mbyllte gjithmonë stërvitjen, duke ekzekutuar dhjetë penallti, gjithmonë me të majtën. 

 

2. Matt Le Tissier
Anglezi ka qenë i tmerrshëm nga pika e bardhë dhe do të mbahet mend si një nga ekzekutuesit më të mirë të penalltive, në të gjitha kohërat, në kampionatin anglez. Le Tissier, që e kaloi pjesën më të madhe të karrierës te Southampton, humbi vetëm dy nga 50 penalltitë e ekzekutuara në karrierë. 45-vjeçari nuk luajti kurrë me kombëtaren e Anglisë apo ndonjë klub të madh dhe nuk fitoi asnjë trofe në karrierë, por nga tifozët e stadiumeve në Britani, askush nuk e ka harruar.  

 

 

1. Alan Shearer
Mund të themi me gojën plot se legjenda e Newcastle ka qenë mjeshtri i penalltive. Ai ka shënuar 56 gola me 11-metërsh, më shumë se çdo kush tjetër në historinë e kampionatit anglez. Pikërisht kjo saktësi nga pika e bardhë e ka ndihmuar qendërsulmuesin të arrijë kuotën e 260 golave në karrierë gjatë ndeshjeve të kampionatit anglez. Shearer ka humbur vetëm dy penallti gjatë karrierës 17-vjeçare si futbollist profesionit. /Telesport/
 

 

Exit mobile version