Liga Premier është padyshim liga më e madhe dhe më e mirë në botën e futbollit. Kur bie fjala tek spektatorët, nuk krahasohet me askënd, pasi shikohet nga miliona tifozë çdo javë.
Kjo ka bërë që futbollistët të marrin vëmendje të madhe për performancat e tyre në fushë, por ka edhe nga ata, puna e të cilëve nuk bie shumë në syrin e publikut.
Kjo është lista e dhjetë lojtarëve më të nënvlerësuar në Ligën Premier, duke u bazuar në statistikat e arritura përgjatë vitit:
Gabriel Magalhaes – Arsenal
Arsenali ka pësuar më se paku gola në Ligën Premier deri në këtë fazë të sezonit (15) dhe shumica e meritave i dedikohen William Salibas. 22-vjeçari padyshim që ka luajtur një rol të madh, por në raste të caktuara e lë “në hije” partnerin e tij, Gabriel Magalhaes.
Sipas WhoScored, braziliani në fakt ka regjistruar një vlerësim më të lartë në ligë (6.83) krahasuar me atë të Salibas (6.74). Ai gjithashtu ka qenë më i mirë në aspektin e ndërprerjes së aksioneve përgjatë 90 minutave.
Kjo nuk do të thotë se Gabriel është më i mirë sesa bashkëlojtari i tij, por vetëm për të dëshmuar se ky sukses i ekipit nuk duhet t’i dedikohet vetëm njërës palë.
Ethan Pinnock – Brentford
Kur mendoni për Brentfordin, yjet e sulmit si Ivan Toney dhe Bryan Mbuemo mund të jenë të parët që na vijnë në mendje. Madje edhe kur mendojmë për mbrojtësit, Ethan Pinnock “zhduket” nga radari aq shumë dhe të gjitha meritat i atribuohen anglezit Ben Mee.
Por, Pinnock me të vërtetë ka dëshmuar se i takojnë merita të mëdha për punën e tij të palodhshme në organizimin e fazës së mbrojtjes tek Brentford.
Të paktën statistikat tregojnë se ai përkundër moshës (30 vjet) është lojtari më i vlerësuar i ekipit deri në këtë fazë të sezonit.
Lewis Dunk – Brighton
Brighton, një ekip i ndërtuar nga talentë në moshë të re. Emra të panjohur si Alexis Mac Allister dhe Moises Caicedo, përmes këtij ekipi arritën që të sigurojnë një lëvizje në klubet e mëdha, teksa yjet si Evan Ferguson dhe Kaoru Mitoma duken se janë të destinuar për të ndjekur të njëjtën rrugë.
Përgjatë viteve, Lewis Dank ka vazhduar të jetë personi që i mbanë të bashkuar të gjithë në fushë, përkundër rezultateve dhe ndryshimeve që ndodhën rreth tij. Ai iu bashkua Brightonit kur ata ende bënin gara në kategorinë e dytë të futbollit anglez dhe tani është shndërruar në njërin nga mbrojtësit që shquhet për lojën e tij me këmbë dhe aftësitë e tij defanzive.
Shumë nga sukseset që klubi i ka arritur kanë qenë falë konsistencës dhe përvojës së tij, që i siguroi edhe ftesën tek kombëtarja angleze.
Dominic Solanke – Bournemouth
Jo shumë kohë më parë Dominic Solanke u përqesh nga tifozët e Ligës Premier. Pasi siguroi kalimin nga Liverpooli tek Bournemouth për shifrën e 19 milionë eurove, Solanke pati vështirësi në shënimin e golave, duke tundur rrjetën vetëm tri herë në 42 ndeshje në ligë.
Pas një viti në Championship, aty ku e gjeti pak formën dhe pas promovimit në elitën e futbollit anglez ai shënoi gjashtë gola për ekipin e tij.
Këtë sezon, ai ka shënuar nëntë gola në 17 ndeshje duke u bërë një ndër lojtarët më të mirë në Angli. Përkundër këtyre shifrave, shumë tifozë ende e etiketojnë si “deshtim” pasi nuk arriti që të bindë me paraqitjet e tij pas largimit nga “Anfield”.
Jarrad Branthwaite – Everton
Duke lënë anash tërë dramën që ndodhi në prapaskena tek Evertoni, klubi ka arritur të “ringjallet” pas heqjes së dhjetë pikëve. Në zemër të fazës së hekurt të mbrojtjes, ka qenë Jarrad Branthwaite, i cili ka qenë një ndër akterët kryesor, në atë që Everton ka pësuar vetëm 20 gola, aq sa ka pësuar edhe Manchester City.
Branthwaite nuk ka luajtur në dy ndeshjet e para të sezonit, në të cilat Evertoni pësoi humbje, por që nga atëherë ka startuar në secilën ndeshje.
Gjatë kësaj kohe, shtatë fitore, dy barazime dhe pesë humbje ishin të mjaftueshme që Evertoni të pozicionohet në mes të tabelës përkundër gjërave që ndodhën.
Alex Iwobi – Fulham
Në 13 paraqitje për Fulhamin këtë sezon, Iëobi ka shënuar tre gola në ligë, shifër kjo më e larta që ai e ka arritur në një sezon të plotë tek Evertoni dhe njësoj aq sa kishte tek Arsenali.
Nuk janë vetëm golat, Iëobi me vrapimet e tij me topin ka shkaktuar rrezik të madh për kundërshtarët dhe ka ndihmuar ekipin e Marco Silvas që të gjejë veten pas disa vitesh në kategorinë e dytë të futbollit anglez.
Joao Palhinha zakonisht është lojtari që i merr të gjitha meritat, por edhe Iëobi meriton më shumë vëmendjen e publikut.
Kostas Tsimikas – Liverpool
Pas lëndimit të Andy Robertson i cili u detyrua t’i nënshtrohet operimit pas lëndimit të krahut në tetor, kishte dyshime të mëdha për mënyrën se si Liverpooli do të adaptohet pa yllin e tyre.
Sidoqoftë, Kostas Tsimikas e ka zëvendëusar në mënyrën më të mirë të mundshme dhe po përmirëson paraqitjet e tij javë pas jave.
Sipas WhoScored, Tsimikas vlerësohet me notën 6.92 për paraqitjet e tij të deritanishme dhe vetëm lojtarë si Mo Salah, Van Dijk, Alexander-Arnold, Szoboszlai dhe Robertson kanë bërë më mirë se ai.
Diogo Dalot – Manchester United
Manchester United janë një klub për t’u studiuar, është e vështirë për të kuptuar nëse lojtarët e tyre janë me të vërtetë të dobët, apo janë vetëm viktima të ambientit toksik që i rrethon ata.
Harry Maguire është shembulli më i qartë, i cili një kohë ka qenë objekt tallje për tifozët, por së fundmi është përmirësuar dhe e ka marrë vëmendjen dhe dashurinë e mediave.
Diogo Dalot është një tjetër lojtar që ka hasur në vështirësi gjatë një kohe në “Old Trafford”, por me punë dhe përkushtim, ai e ka marrë pozitën e startuesit në krahun e djathtë dhe vetëm Bruno Fernandes dhe Andre Onana kanë vlerësim më të lartë nga WhoScored deri më tani në ligë.
Pape Matar Sarr – Tottenham Hotspur
Ardhja e trajnerit të ri Ange Postecoglou, ka bërë që shumë futbollistë të këtij ekipi të gjejnë formën e tyre optimale. Njëri ndër ta është edhe mesfushori Pepe Matar Sarr.
21-vjeçari ka luajtur një rol kyç në planet e Postecoglout këtë sezon. Ai ka qenë shumë i rëndësishëm për ekipin, në fakt, Tottenhami ka dështuar të fitojë të gjitha pesë ndeshjet në ligë në të cilat ai kishte munguar.
Edson Álvarez – West Ham United
Kur mendoni për ndonjë lojtar të West Hamit, me shumë mundësi mendja mund t’iu shkojë tek blerjet e reja të verës si James Ward-Prowse dhe Mohammed Kudus ose emra si Lucas Paqueta dhe Jarrod Bowen.
Por, në fakt Edson Alvarez është ai i cili që prej transferimit të tij nga Ajaxi ka arritur që ta plotësojë për mrekulli boshllëkun që la Declan Rice pas transferimit tek Arsenali.
Zakonisht meritat kryesore i atribuohen bashkëlojtarit të tij Tomas Soucek, por një vëmendje duhet t’i kushtohet edhe asaj që Alvarez bën në fushë.
/Telegrafi/