Një tajfun i fuqishëm ka detyruar 9 milionë njerëz të evakuohen në Japoni, duke lënë të paktën dy të vdekur dhe qindra mijëra të tjerë pa energji elektrike.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, nëntë milionë njerëzve në Japoni u është thënë të evakuohen nga shtëpitë e tyre pasi vendi është goditur nga një nga tajfunet më të këqij në historinë e tij, duke vrarë dy persona dhe duke lënë 300,000 shtëpi pa energji elektrike.
Gati 90 persona janë lënduar nga tajfuni Nanmadol, i cili solli erëra të egra deri në 233 km/h dhe reshje rekord shiu në perëndim të vendit.
Transporti është ndërprerë, prodhuesit janë detyruar të pezullojnë operacionet dhe dhjetëra mijëra njerëz e kaluan natën e kaluar në strehimore emergjente.
Ndërsa perandori i Japonisë Naruhito dhe perandoresha Masako ishin në Londër për të marrë pjesë në funeralin e Mbretëreshës në Westminster Abbey, kryeministri Fumio Kishida vonoi nisjen e tij në Nju Jork për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për të vlerësuar dëmet nga tajfuni i 14-të japonez i sezonit.
Kompania e hekurudhave Kyushu tha se kishte ndalur operimet e trenave me shpejtësi të lartë dhe të rregullt, ndërsa Japan Airlines dhe ANA Holdings anuluan rreth 800 fluturime, raportoi NHK.
Gjithashtu edhe Toyota ka pezulluar turnet e natës në 24 linja në 12 nga fabrikat e saj vendase këtë mbrëmje, tha një zëdhënës i kompanisë, duke shtuar se kompania planifikoi të kompensojë prodhimin e humbur me orët jashtë orarit dhe operacionet gjatë festave. /Telegrafi/