Site icon Telegrafi

Detajet e para rreth tragjedisë që u mori jetën së paku 27 personave në Japoni

Të paktën 27 persona kanë humbur jetën në një zjarr që shpërtheu në katin e katërt të një ndërtese në Osaka të Japonisë. Disa dhjetëra persona u plagosën.

Hetimet e para të policisë japoneze thonë se zjarri ishte shkaktuar qëllimshëm, ku raportohet se një burrë i vuri zjarrin ndërtesës, raportoi Kyodo News, duke cituar individë të përfshirë në hetim.

Një burrë i moshuar ka sjellë një qese nga e cila ka rrjedhur një lëng i ndezshëm dhe është ndezur, shkruan gazeta Yomiuri. Ai besohet të jetë një pacient në klinikë, shkruan gazeta Mainichi.

Lexo po ashtu Zjarr në një klinikë psikiatrike, të paktën 27 të vdekur në Japoni

Zjarri shpërtheu menjëherë pasi klinika u hap në orën 10:00 dhe kryesisht u shua brenda 30 minutave, njoftoi televizioni publik NHK.

Pamjet e NHK tregojnë tymin që del nga një dritare e katit të katërt, ku ndodhet infermieria, si dhe nga çatia e një ndërtese zyrash shumëkatëshe. Videoja më vonë tregon dritare të nxira dhe të djegura.

“Kur pashë jashtë, pashë një flakë portokalli në dritaren e katit të katërt të ndërtesës. Një grua thirri për ndihmë dhe bëri me dorë nga dritarja e katit të gjashtë”, tha Kyodo, një grua 36-vjeçare që punon në një kompani aty pranë.

Ndërtesa ndodhet në një lagje tregtare dhe argëtuese jo shumë larg Stacionit Qendror Hekurudhor të Osakës, dhe gjithashtu strehon një sallon bukurie, dyqan veshjesh dhe shkollë të gjuhës angleze, tha NHK.

Faqja e internetit e klinikës nuk ishte e disponueshme, por një arkiv në internet nga fillimi i këtij viti tregoi se ajo trajton pacientët nga depresioni dhe problemet e panikut, si dhe probleme fizike si apnea e gjumit dhe anemia.

Një grua tjetër që tha se pa tym nga dritarja i tha Kyodo se kishte një ndërprerje të shkurtër të energjisë në zonë.

Ndryshe, një zjarr në një studio animacioni në Kioto në vitin 2019 vrau më shumë se 30 njerëz dhe plagosi dhjetëra. /Telegrafi/

Exit mobile version