Site icon Telegrafi

Destinacionet ekoturistike në Kosovë

Është koha e pushimeve dhe të gjithë ne jemi të preokupuar se ku dhe si t’i kalojnë pushimet verore. Padyshim se shumica prej nesh kanë zgjedhur që këto pushime ti kalojnë diku në bregdet. Ndërsa, për ata që kanë vendosur që pushimet verore t’i kalojnë në Kosovë, përveç pishinave kanë edhe një alternativë tjetër pushimi dhe rekreacioni. Është ky ekoturizmi ose i njohur ndryshe si turizmi ekologjik.

Ekoturizmi është lloj i turizmit që ka për qëllim udhëtimet në vendet e paprekura natyrore, në zonat e mbrojtura ose atraksionet tjera natyrore dhe që zakonisht përpiqet të minimizojë ndikimin në mjedis. Ai ka për objektiv edhe të promovojë edukimin mjedisor, të sigurojë fonde për ruajtjen e natyrës, të ndihmojë zhvillimin ekonomik, fuqizimin e komuniteteve lokale, si dhe të nxis respektin për kulturat e ndryshme.

Ekoturizmi tërheq ata që janë të etur të ndjekin rrugët më pak të shkelura, të shohin drejtpërsëdrejti thesaret natyrore, të prehen në fshat dhe të kënaqen nga kuzhina tradicionale. Ky lloj i turizmit i dedikohet në radhë të parë atyre që joshen nga vendet që ofrojnë bukuri të rralla natyrore dhe llojllojshmëri të botës bimor e shtazore, por edhe ata që kënaqen nga veprimtaritë që zhvillohen në natyrë sikur janë çiklizmi, ngjitjet malore, kalërimi, noti, peshkimi, kampingu dhe shëtitjet. Pra, ekoturizmi, përveç kënaqësisë që ofron synon gjithashtu zhvillimin e një vetëdije më të madhe dhe të përgjegjësisë ndaj mjedisit, duke promovuar përdorimin e transportit të organizuar, pastrimin e mbeturinave, kursimin e ujit etj.

Për Kosovën ekoturizmi është një dukuri e re, por në shumë vende të botës ky lloj turizmi është shtyllë e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik. Kosova shquhet për vlera të rralla të trashëgimisë natyrore. Pozita gjeografike, relievi, klima, burimet ujore, peizazhet, grykat e kanionet, bota e pasur bimore dhe shtazore janë parakushte ideale dhe potencial i lartë për zhvillimin e ekoturizmit. Kosova ka mundësi të mira të zhvillimit të ekoturizmit të shpellave, ekoturizmit malor, ekoturizmit rekreativ-sportiv, ekoturizmit veror, ekoturizmit rural dhe atij edukativ.

Ekoturizmi i shpellave: Për opinionin e gjerë janë të njohura bukuritë natyrore të Shpellës së Gadimes, e cila njëherazi është edhe ndër atraksionet më të mëdha turistike në vend. Mirëpo, Kosova ka edhe disa shpella të tjera dhe përmirësimi i infrastrukturës së tyre do të ofronte kushte shumë të mira për zhvillimin e turizmit të shpellave. Të tilla janë për shembull Shpella Gryka e Madhe, Shpella e Panorcit, Shpella e Pjetërshticës, Shpella e Radavcit etj.

Ekoturizmi malor dhe ecja në natyrë: Në zonat e thella malorë të Kosovës ekzistojnë shumë shtigje malore të cilat përdorën blegtorët për bagëtitë e tyre dhe të cilat paraqesin mundësi reale për zhvillimin e ecjes ne natyre, shëtitjeve malore me biçikleta, por edhe të ekspeditave dhe kampingjeve. Përveç Maleve të Sharrit dhe Bjeshkëve të Nemuna, ky lloj i turizmit mundë të zhvillohet edhe në Bjeshkët e Shalës së Bajgores, Vargmalet e Berishës, Malet e Jezercit etj.

Ekoturizmi veror dhe njëditorë: Klima e përshtatshme, livadhet e pasura me llojllojshmërinë e bimëve, burimet e shumta ujore, peizazhet piktoreske janë parakusht i mire edhe për zhvillimin e turizmit veror dhe kampingut. Liqenit i Breznes, Liqeni i Batllavës, Kanioni i Mirushës, Gryka e Rugovës janë vetëm disa nga zonat që gjatë stinës së verës mund të jenë destinacion i përhershëm i shumë turistëve dhe adhuruesve të natyrës që dëshirojnë të kalojnë një ditë në natyrë.

Ekoturizmi rekreativ dhe sportiv: Në Malet e Sharrit, në Bjeshkët e Nemuna, por edhe në zona tjera malore të Kosovës, gjenden shumë terrene të përshtatshme për zhvillimin e skitarisë. Kapaciteti i terreneve të skijimit të këtyre qendrave mund të pranojnë me mijëra vizitorë gjatë sezonit të dimrit. Ndërsa, gjatë verës, në Malet e Sharrit dhe në Bjeshkët e Nemuna ka plotë maja të cilat janë shumë atraktive për zhvillimin e alpinizmit dhe bjeshkatarisë.

Turizmi rural: Në shumë zona rurale të Kosovës, e sidomos në ato malore, ende ruhen shumë zakone, tradita, lojëra, këngë, veshje e ushqime tradicionale. Këto pasuri të jashtëzakonshme kulturore janë një mundësi e mirë e zhvillimit të turizmit rural dhe promovimit të këtyre vlerave. Në veçanti, për këto vlera shquhen fshatrat malore që shtrihen në Malet e Sharrit, e sidomos ato që i takojnë komunës së Dragashit.

Turizmi edukativ dhe shkencor: Ekosistemet e paprekura malore, prania e llojeve të rralla bimore e shtazore, shpellat e pa hulumtuara, kanionet, rrjedhat e shumta ujore dhe pasuritë nëntokësore të Kosovës kanë potencial edhe për zhvillimin e aktiviteteve edukative e kërkimore me nxënës, studentë dhe shkencëtarëve nga Kosova, por edhe për ekspedita të huaja hulumtuese.

Përkundër këtyre vlerave të jashtëzakonshme dhe mundësive ideale për zhvillimin e ekoturizmit, mungesa e infrastrukturës, mungesa e investimeve, mungesa e planeve dhe projekteve konkrete ka penguar zhvillimin e kapaciteteve ekoturistike. Problem i veçantë është qasja që institucionet qeveritare dhe shoqëria kosovare ka ndaj shfrytëzimit të qëndrueshëm të këtij potenciali. Shfrytëzimi i pakontrolluar i resurseve natyrore, dëmtimi i ekosistemeve, gjuetia ilegale, zgjerimi i vendbanimeve janë kërcënim i vazhdueshëm për këto vlera.

Me një promovim më profesional të zonave ekoturistike, me rritjen e investimeve dhe me përgatitjen e një strategjie kombëtarë për zhvillimin e ekoturizmit, Kosova mundet të jetë një vend shumë atraktiv ekoturistik.

 

Exit mobile version