Kryetari i degës së PDK-së në Gjilan, Riad Rashiti, ka reaguar pas dështimit të seancës së fundit në Kuvend Komunal, derisa ka theksuar se për këtë është përgjegjës vetëm kryetari i komunës.
Rashiti, ka listuar edhe arsyet qe sipas tij janë kryesore në dështimin e seancave të rregullta në Kuvend Komunal.
“Mos transparenca e cila është instaluar në jetën institucionale nga qeverisja e VV-së dhe kryetari i Gjilanit. Vetë VV nuk i ka numrat e vet, po mungojnë qëllimshëm për me dështu seancat e Kuvendit Komunal dhe për të akuzuar një pjesë të opozitës”, ka shkruar ai.
Ai theksoi se PDK ka shprehur gadishmërinë për të kontribuar për daljen nga gjendja e jashtëzakonshme në komunën e Gjilanit.
“Ky e don terrin informativ, ky don qysh të dojë dhe çka të dojë me informu qytetarin e Gjilanit. Po mendon që është duke qeverisë në Korenë Veriore”, ka thënë tutje ai.
Ndryshe, ndaj dështimit të seancës së sotme në Kuvend Komunal ka reaguar edhe Komuna e Gjilanit, derisa kanë theksuar se opozita po e kushtëzon pjesëmarrjen me transmetim publik.
Avdyl Aliu, shef i grupit të këshilltarëve të LDK-së, ka thënë se nuk janë krijuar kushte për transparencë minimale, prandaj ata nuk pranojnë të jenë pjesë e seancës derisa nuk përmbushet kjo kërkesë e kahershme e opozitës.
“Ne jemi të interesuar për punë, por jo në këto kushte të territ informativ”, ka thënë Aliu.
Ndërkaq, Ismajl Kurteshi nga LVV tha se kjo seancë sot i përmbushë kushtet ligjore për t`u mbajtur dhe ka kërkuar nga grupi i këshilltarëve të LDK-së që të mos e braktisin Kuvendin.
“Ata që e lëshojnë seancën marrin përgjegjësi para qytetarëve të komunës së Gjilanit”, ka thënë Kurteshi, duke shtuar se ajo që po kërkohet nga shefi i grupit të këshilltarëve të LDK-së është e përtej ligjshme, megjithëse u pajtua që edhe kjo kërkesë të plotësohet.
Pasi LDK e braktisi sallën e mbledhjeve, Kuvendi mbeti pa kuorum, për çka kryesuesi Kushtrim Kadriu u detyrua te ndërpres seancën.
/Telegrafi/