Site icon Telegrafi

Dështon seanca e Kuvendit e thirrur nga kryetari Hyseni – Buxheti i Gjilanit ende në pritje të miratimit

Ka dështuar sërish seanca e thirrur nga kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, e cila kishte si pikë të vetme të rendit të ditës miratimin e buxhetit për vitin 2025.

Në mungesë të kryesuesit të Kuvendit Komunal, Kushtrim Kadriu, seancën urgjente e hapi këshilltari më i moshuar i Kuvendit, Ismajl Kurteshi, por pas konstatimit të mungesës së kuorumit, ajo dështoi.

Kurteshi bëri apel për këshilltarët e komunës dhe kryetarin që ta votojnë buxhetin.

“Kanë mbetur vetëm edhe dy ditë për ta votuar buxhetin, i cili është shumë i nevojshëm për qytetarët e Gjilanit. Buxheti ka mundësi të votohet vetëm nëse të dyja palët ngrihen në nivelin e përgjegjësisë që u takon, sepse nuk ka të pafajshëm këtu dhe ekziston mundësia që ai të miratohet. Kërkoj nga kryetari i komunës ta kuptojë se ka të drejtë ta propozojë buxhetin, por duhet të harmonizohet me opozitën dhe kërkoj nga opozita që të vijë dhe ta votojë atë,” tha Kurteshi.

Ndërsa, pas kësaj seance, kryetari Hyseni mbajti një konferencë për media ku tha se ftesën për seancën e jashtëzakonshme e kanë dërguar që dje, por sipas tij, kryesuesi i Kuvendit nuk e ka dërguar thirrjen te asambleja.

“Në shenjë mirësie po ju paralajmëroj që ngadalë këto veprime të opozitës së bashkuar: LDK-PDK, Lëvizja VATRA dhe Lëvizja Srpska për të bojkotuar Kuvendin dhe bllokimin e buxhetit janë një lloj rrëshqitjeje drejt elementeve të së drejtës penale të keqpërdorimit të detyrës. Në këtë rast, kryesuesi i Kuvendit është duke dhënë elemente që përbëjnë veprën penale të keqpërdorimit të detyrës,” tha Hyseni.

Ai gjithashtu theksoi se kanë marrë ftesën për seancën e organizuar nga opozita, por sipas tij, e njëjta nuk ka material për rendin e punës.

Kryetari Hyseni potencoi se janë të interesuar që Komuna e Gjilanit të mos mbetet pa buxhet, duke bërë të ditur se po bëjnë përpjekje të vazhdueshme për të tejkaluar situatën.

“Ne edhe sot kemi bërë thirrje për seancë urgjente nga ora 16:00, sepse kjo mund të kontestohet nga kryesuesi i Kuvendit dhe tash e tutje do të bëjmë vetëm thirrje për opozitën dhe i presim që të vijnë,” përfundoi ai. /Telegrafi/

Exit mobile version