Në mungesë kuorumit, Kuvendi i Kosovës ka dështuar të formojë komisionin hetimor parlamentar për krizën energjetike.
Vetëm tre deputetë morën pjesë në votim të cilët abstenuan, ndërsa grupet tjera parlamentare u përmbajtën nga votimi.
Për vazhdimin e kësaj seance, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca bëri të ditur se do të njoftojë me kohë.
Në seancën e Kuvendit gjatë ditës u diskutuan dy komisione hetimore për energjinë.
Njëri u iniciua nga Partia Demokratike e Kosovës dhe është përkrahur Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Komisioni tjetër është propozuar nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje (LVV).
Partitë opozitare kanë thënë se komisioni i tyre do të analizonte të gjitha masat e marra prej periudhës së shpalljes së gjendjes emergjente për energjinë, për të cilën Kuvendi ka votuar në fund të vitit të kaluar.
Komisioni i propozuar nga LVV do të hetonte më shumë çështje në sektorin e energjisë.
Disa nga to janë: hetimi i investimeve kapitale në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) në periudhën 2006-2022, investimet kapitale në distribucionin e energjisë elektrike pas privatizimit dhe burimet nga ku janë bërë ato investime.
LVV po ashtu propozon të hetohen edhe punësimet e bëra nga viti 2006 deri në prill të këtij viti, kontratat e lidhura për blerje të energjisë elektrike nga viti 2006 deri më 2022, procedurat e ndjekura gjatë këtyre blerjeve dhe shumë çështje tjera në fushën e energjisë.