Telegrafi

Deschamps zbulon se çfarë shkoi keq për Francën në finalen e Botërorit

Trajneri i Francës, Didier Deschamps pranoi se lojtarët e tij dështuan të paraqiten në nivelin e duhur dhe nuk kishin qëndrimin korrekt gjatë gjysmës së parë të humbjes së tyre në finalen Kampionatit Botëror kundër Argjentinës.

Fituesit e sapokurorëzuar të trofeut ishin 2-0 në pjesën e parë, pas penalltisë së realizuar nga Lionel Messi dhe golit të bukur nga Angel di Maria në minutën e 36-të, ndërsa Les Blues përpiqeshin të gjenin vetën e humbur në fushë.

Nënkampionët ishin jashtë ritmit deri në minutën e 80-të, kur Kylian Mbappe realizoi një dygolësh për 97 sekonda për të shpëtuar Francën dhe për të çuar ndeshjen në vazhdime.

Les Bleus mbetën përsëri prapa në minutën e 108-të përpara se penalltia e dytë e Mbappes në ndeshje, 10 minuta më vonë i dha francezit një hat-trick dhe e çoi takimin në penallti.

“Ne nuk arritëm plotësisht të paraqiteshim në pjesën e parë. Ne e prisnim (intensitetin e tyre), nuk kishim as qëndrimin e duhur dhe as përgjigjen e duhur”, ka thënë Deschamps pas ndeshjes.

“Do të duhet shumë për t’i shqetësuar ata dhe për t’u rikthyer. Ata me të vërtetë po luanin një finale të jetës së tyre”.

Kampi francez u godit nga një virus përpara finales, pasi Adrien Rabiot, Dayot Upamecano dhe Kingsley Coman u detyruan të mungonin në gjysmëfinale kundër Marokut për shkak të sëmundjes.

Të tre u rikuperuan për t’u paraqitur në finale, megjithëse Coman humbi një penallti vendimtare për Francën në gjuajtje.

Deschamps shtoi: “Ne nuk u paraqitëm për arsye të ndryshme (në 60 minutat e parë). Na është dashur të përballemi me gjëra të vështira në 4 ditët e fundit. Sëmundja dhe më pas gjërat kolektive”. /Telegrafi/