Një kasap vdiq ndërsa po përpiqej të therte një derr në Hong Kong, njoftoi policia e qytetit.
Kasapi 61-vjeçar, i cili punonte në thertoren Sheung Shui në periferi të qytetit, u rrëzua përtokë nga derri dhe mori një plagë, raporton cnn.
Kasapi ishte gati të vriste derrin – të cilin tashmë e kishte qëlluar me një armë trullosëse elektrike – kur kafsha rifitoi vetëdijen dhe e rrëzoi atë, deklaroi policia.
Një koleg e gjeti burrin pa ndjenja në tokë, i cili ishte lënduar në këmbën e majtë. Ai u dërgua menjëherë në spital, por u konstatua se kishte vdekur.
Policia tha se shkaku i vdekjes ende nuk është përcaktuar. Departamenti i Punës i qytetit tashmë ka nisur hetimet rreth ngjarjes.
“Do të përfundojmë hetimet sa më shpejt që të jetë e mundur për të identifikuar shkakun e aksidentit. Ne do të ndërmarrim veprime në zbatim të ligjit nëse ka ndonjë shkelje të legjislacionit të sigurisë në punë”, tha një zëdhënës i departamentit. /Telegrafi/