Site icon Telegrafi

Dermaku largohet nga Empoli, nënshkruan në Serie C

Deri tre javë më parë, Katriot Dermaku shihej si një titullar i mundshëm në sezonin e ri te Empoli në Serinë B.

Por paraqitjet e qendërmbrojtësit shqiptar në miqësoret e verës nuk kanë mjaftuar për të bindur trajnerin Vinçenco Vivarini, që t’i besojë futbollistit shqiptar në këtë sezon.

Dermakut i është bërë e qartë javën e kaluar se në këtë edicion nuk do të kishte hapësira për të dhe ai ka preferuar që të kërkojë një sistemim të ri.

Duke pasur parasysh se ai ka qenë një ndër mbrojtësit më të spikatur në Serinë C (Lega Pro) në edicionet e kaluara, Dermakun e kanë kërkuar disa skuadra nga ky kampionat. Në fund futbollisti shqiptar zgjodhi t’i bashkohej Cosenza.

Klubi bëri të ditur se ka siguruar përfundimisht kartonin e futbollistit i cili do të jetë një titullar i padiskutueshëm në këtë sezon ku Kozenca ka objektiv ngjitjen në B.

Dermaku ka nënshkruar një kontratë dyvjeçare me klubin e tij të ri. /Telegrafi/

Exit mobile version