Superliga e Kosovës rikthehet në aksion me një super ndeshje që pritet të zhvillohet në Podujevë.
Dy skuadrat nga i njëjti rajon, Llapi dhe Prishtina do të jenë përballë njëra tjetrës në derbin që vlen për pozitën e parë në tabelë.
Lideri aktual i elitës së futbollit kosovar, Llapi pësoi humbjen e parë në kampionat javën e kaluar kur u mposht nga kampioni në fuqi Trepça ’89 3-1.
Ndërkohë Prishtina barazoi si vendas me Feronikelin pa gola 0-0.
Mbrojtësi i Llapit, Ilir Blakçori në një prononcim për Telegrafin ka deklaruar se janë të përgatitur maksimalisht për këtë takim.
Sipas anësorit, do të jetë një ndeshje e fortë por në stadiumin ‘Zahir Pajaziti’, synojnë t’i ndalin të gjitha pikët.
“Jena përgatitë maksimalisht për këtë takim sepse jemi të vetëdijshëm se kemi të bëjmë me një kundërshtar të fortë si Prishtina”.
“Prishtina është ndër ekipet më të mira në Superligë, por ne synojmë fitore”.
“Në stadiumin ‘Zahir Pajaziti’, nuk e dimë se çfarë është humbja dhe synojmë gjithmonë t’i ndalim të gjitha pikët”, deklaroi Blakçori.
Ndërkohë, mesfushori i Prishtinës, Lorik Boshnjaku ka deklaruar për faqen zyrtare të klubit se synojnë të rikthehen tek fitorja.
“Me Llapin kemi pasur si statistika të mira, po ashtu edhe lojëra të mira. Shpresoj që në këtë ndeshje do të zhvillojmë ndeshje edhe më të mirë se sa në dy ndeshjet e fundit ku kemi barazuar”.
“Duhet rikthyer te fitorja, pastaj na pret pushim ku do të punonim maksimalisht të qetë për vazhdimin e kampionatit. Normalisht pra pres angazhim maksimal dhe si në çdo ndeshje që hyjmë për fitore, e nganjëherë nuk po na përcjell as fati, të hyjmë edhe në edhe në këtë ndeshje për ta fituar atë”, ka thënë Lorik Boshnjaku.
Interesant pritet të jetë edhe në Gjakovë, ku skuadra e rikthyer në Superligë, Vëllaznimi do të jetë nikoqire e Trepçës ’89.
Gjakovarët kanë grumbulluar 11 pikë pas shtatë ndeshjeve një më pak se kampioni në fuqi.
Vllaznia e Pozhoranit synon të marrë një tjetër tre pikësh pasi pret në Gjilan, Lirinë nga Prizreni.
Ndërkohë ndeshja e fundit e ditës së sotme do të zhvillohet në qytetin e Pejës, ku Besa do të jetë nikoqire e Drenicës. /Telegrafi/