Deputeti i shqiptar nga Lugina e Preshevës në parlamentin e Serbisë, Argjend Bajrami gjatë fjalimit të tij sot ka kërkuar nga qeveria serbe që të ndajnë fonde për ta filluar ndërtimin e një spitali në Preshevë, duke qenë se spitali më i afërt në këtë zonë është rreth 50 kilometër larg.
Bajrami ka thënë se kjo mund të arrihet vetëm me me vullnet të mirë politik, përmes ngritjes së buxhetit komunal osë përmirësimit të pozitës financiare të Trupit Koordinues.
“Atëherë sot, nëse me të vërtetë sot ekziston një mentalitet demokratik, nëse me të vërtetë sot ekziston një mentalitet tjetër politik, atëherë sot z. Brnabiq, si Kryeministre e Qeverisë dhe mazhorancë në parlament, duhet të n’a konfirmojë se do të kujdeseni që qeveria juaj e tanishme të ndajë fonde për të filluar ndërtimin e një spitali, që do t’u shërbejë të gjithë qytetarëve të Luginës së Preshevës, kjo mundet te arrihet vetëm me vullnet të mirë politik, përmes ngritjes së buxhetit komunal, ose përmes përmirësimit të pozitës financiara të Trupit Koordinues”, tha Bajrami.
Fjalimi i plotë:
I nderuar kryesues, zonja dhe zotërinj, deputet popullorë dhe qytetarë të Republikës së Serbisë,
Mirëdita!
Si një nga deputetët e rinj në parlament, unë kam ndjekur debatet e deritanishme që janë zhvilluar gjatë seancave.
Nga njëra anë, unë jam i befasuar dhe nga ana tjetër jam i zhgënjyer, për shkak të gjërave që dëgjoj, dhe ku deputetët duhet të jenë në frymën e një mentaliteti demokratik, e jo edhe më tutje të vazhdojnë të propagandojnë politikën e viteve 90-ta. Kjo është vërtet e dëshpëruese, por për këtë do të kemi kohë në paraqitjet e mia të ardhshme.
Sidoqoftë, unë dua të ndërlidhem me diçka që ka filluar në njërën nga seancat, ku është deklaruar nga ana e Kryeministres znj. Ana Brnabiq – kur ka thënë që hajde të bisedojmë rreth diçkafit që seriozisht do të përmirësojë jetën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Po znj. Brnabiq!
Sot ne do të flasim pikërisht për këtë gjë. Përveç asaj, që kolegu im z. Kamberi ka thënë për mos-rritjen e buxhetit dhe gjithçka tjetër, unë do të doja të shtoja se nuk ka ndonjë përmirësim të dukshëm ose progres në asnjë sferë jetike për shqiptarët nga Lugina e Preshevës, dhe duhet të konkludoj se vullneti politik i kësaj dhe qeverive të mëparshme është mosinteresim, gjegjësisht nuk ka pasur asnjë lëvizje konkrete drejt përmirësimit të ndonjë pozicioni buxhetor që do të kishte efekte pozitive në jetën e përditshme të qytetarëve të kësaj zone.
Edhepse jeni të njoftuar me problemet që kanë shqiptarët e Luginës së Preshevës për shumë vite, sot ne posaçërisht do të theksojmë problemin e shëndetit publik në Luginën e Preshevës, i cili në këtë periudhë të vështirë të pandemisë është një katastrofë pa precedent. Por, problemet nuk filluan nga fillimi i pandemisë, por janë probleme shumë dekadorë, ndërsa sot pandemia globale ka arritur kulmin e krizës humanitare.
Dëshiroj të Ju rikujtoj se qytetarët e Luginës së Preshevës, që edhe për problemeve të vogla shëndetësore, duhet të shkojnë në spitalin më të afërt, i cili ndodhet afër 50 kilometra nga shtëpitë tona. Pra, kini parasysh që për çdo rast të ndihmës së parë, neve na duhet të paktën një orë derisa të arrijmë në spitalin më të afërt, kurse mbi numrin e pacientëve që kanë vdekur gjatë rrugës para se të mbërrijnë në spitale, këtë gjë as që dua t’a komentoj, pasi këto janë kushtet më çnjerëzore, që nuk ekzistojnë as në vendet më të varfra të planetës.
Çfarë mendoni Ju për këtë?
Ku ishte Qeveria juaj gjatë këtyre kohërave të vështira në Preshevë?
Sa është Qeveria prezente në zgjidhjen e problemeve dhe përkrahjen për përmirësimin e kësaj situate?
A ekziston ndonjë shembull tjetër, që e dini, që një ekipi të ndihmës së shpejtë I nevojitet së paku një orë kohë, për të arritur në spitalin më të afërt?
Si është e mundur që në qytete dhe zona të tjera që janë shumë më të vogla se Presheva dhe Bujanovci, ekziston një infrastrukturë dhe institucione shumë më të përshtatshme për shëndetin publik, gjegjësisht spitalet, ndërsa ne nuk e kemi atë.
Si mund t’i bindni qytetarët e Luginës së Preshevës, që problemet e tyre nuk kanë asnjë lidhje me vullnetin politik të Qeverisë?
Dhe çfarë keni ndërmarrë konkretisht për të përmirësuar jetën e qytetarëve tanë?
Pse qytetarët tanë nuk kanë asnjë spital në regjion?
Z. Kryeministre personalisht ka thën në Beograd, që “sa më në jug, aq më trishtë”
Çfarë do të thotë kjo?
A e dini se çfarë do të thotë kjo?
Kjo do të thotë se Qeveria kurrë nuk ka qenë e pranishme për t’u shërbyer qytetarëve të Preshevës dhe se aktualisht nuk ekziston vullnet i mirë politik, për të zgjidhur problemet tona.
Pra, atje ku ka vullnet politik, ka dhe buxhet, dhe ku ka buxhet, kemi edhe spitale, edhe fabrika, dhe mirëkuptim për një jetë më të mirë.
Atëherë sot, nëse me të vërtetë sot ekziston një mentalitet demokratik, nëse me të vërtetë sot ekziston një mentalitet tjetër politik, atëherë sot z. Brnabiq, si Kryeministre e Qeverisë dhe mazhorancë në parlament, duhet të n’a konfirmojë se do të kujdeseni që qeveria juaj e tanishme të ndajë fonde për të filluar ndërtimin e një spitali, që do t’u shërbejë të gjithë qytetarëve të Luginës së Preshevës, kjo mundet te arrihet vetëm me vullnet të mirë politik, përmes ngritjes së buxhetit komunal, ose përmes përmirësimit të pozitës financiara të Trupit Koordinues. /Telegrafi/