Problemet të cilat hasen në infrastrukturë vazhdojnë të jenë raportimet më të shpeshta të cilat bëhen nga qytetarët e Komunës së Gjakovës në platformën Ndreqe.com.
Para pak ditësh në këtë platformë ishte raportuar për një problem, i cili ka të bëjë me pjesën e Çarshisë së Vjetër të qytetit, zonë kjo që është mjaft e frekuentuar nga njerëzit.
Çështja për të cilën ishte raportuar ka të bëjë me dëmtimin e një pjese të trotuarit i cili, sipas raportuesit thuhet se gjindet në afërsi të fontanës që gjindet në këtë pjesë të qytetit.
Nga fotografitë e pranuara, vërehet se përveç demtimit të trotuarit në afërsi të fontanës, në këtë pjesë ka edhe dëmtime në rrugën ku lëvizin makinat, sfidë kjo që sipas raportimeve të vazhdueshme të qytetarëve të Gjakovës, vazhdon të jetë prezente në pjesë të ndryshme të qytetit.
Kujtojmë që Telegrafi kishte kontaktuar edhe me Zyrën për Informim të Komunës së Gjakovës, rreth këtyre raportimeve, të cilët në përgjigjen e tyre kishin thënë : “Të gjitha prishjet do të rregullohen sipas planit dinamik në kuadër të kodit buxhetor “Sanimi i Rrugëve”.
Qytetarët po vazhdojnë të raportojnë në platformën Ndreqe.com për ankesat që kanë, ku më pas po intervenohet edhe nga organet përgjegjëse.
Vazhdoni të raportoni edhe më tutje për të gjitha problemet në komunat tuaja përkatëse. /Telegrafi/