Site icon Telegrafi

Deklarohet gruaja e presidentit haitian: Me shpejtësi të dritës u futën në shtëpi dhe e bënë shoshë me plumba

E veja e presidentit të vrarë haitian, Jovenel Moise, Martine, e cila pasi u plagos u dërgua në spital, e ka përshkruar momentin kur ajo dhe bashkëshorti u sulmuan në shtëpinë e tyre.

Ajo tha se sulmi ka ndodhur “aq shpejtë”, sa që bashkëshorti i saj Jovenel nuk ka pasur mundësi të thotë asgjë, transmeton Telegrafi.

Martin ishte plagosur në këtë sulm dhe me urgjencë ishte dërguar në spital në Miami, shkruan BBC. E të shtunën në rrjetet sociale, ajo postoi një porosi ku tha se do të vazhdojë ta kryej punën e saj.

Dhjetëra persona kanë konfirmuar se është zëri i gruas së presidentit.

“Me shpejtësinë e dritës janë futur në shtëpinë time dhe kanë bërë shoshë bashkëshortin tim”, ka thënë ajo në këtë video mesazh, duke përshkruar momentin kur i është vrarë bashkëshorti.

“Duhet të jeni kriminel i pashpirt për ta kryer një atentat të tillë mbi presidentit siç ishte Jovenel Moise, e të mos i jepni asnjë shans ta thotë një fjalë”, ka shtuar ajo.

Ajo theksoi se bashkëshorti i saj ishte cak për arsye politike, në veçanti pasi është përmendur referendumi për ndryshimin e Kushtetutës, që mund t’i jepte edhe më shumë pushtet presidentit.

“Po qaj, por është e vërtetë, nuk duhet të lejojmë që vendi që dal nga rruga e saj. Nuk do të lejojmë që gjaku i presidentit, bashkëshortit tim, presidentit tonë që e duam kaq shumë dhe që na ka dashur, të shkoj dëm”, ka porositur për fund ajo.

Kujtojmë që presidenti haitian Jovenel Moise, 53-vjeç, është vrarë në shtëpinë e tij ditë më parë. Ende nuk dihet kush e kishte porositur këtë vrasje apo motivin e atentatit – shumë gjëra kanë mbetur të paqarta, përfshirë edhe atë sesi vrasësit kanë mundur të futen në pronë. /Telegrafi/

 

Exit mobile version