Rruga e shumëpërfolur “17 shkurti”në Godanc të Shtimes që u përurua rreth katër muaj më parë, ka nis të degradohet. Kjo rrugë që lidh disa fshatra në drejtim të Gjyrkocit me gjatësi prej rreth 3 kilometra ka kushtuar gjithsejtë 570 mijë eurosh.
Këtë aks të rrugës të hënën e kanë vizituar ekipet e opozitës nga Partia Demokratike e Kosovës, dega në Shtime. Ndërkohë nëpërmjet një shkrese ky subjekt ka kritikuar qeverisjen lokale për keqmenaxhim të projekteve dhe për cilësi të dobët të punimeve.
“Ky projekt i dështuar nuk është vetëm një çështje teknike, por është tregues i mungesës së përgjegjësisë dhe transparencës nga ana e udhëheqjes komunale. Si është e mundur që një rrugë e ndërtuar nga fillimi të pësojë dëmtime kaq serioze brenda një periudhe kaq të shkurtër. Kjo tregon një model të keq të menaxhimit të dobët dhe neglizhencës nga qeverisja e Vetëvendosjes në Shtime. Ndërkohë që qytetarët presin projekte të qëndrueshme dhe cilësore, por ata përballen me dështime që i rëndojnë edhe më shumë financat dhe jetën e përditshme”, thuhet në reagimin e PDK-së.
Ky subjekt opozitar në Shtime ka kërkuar nga Komuna të marrin përgjegjësinë e plotë duke e cilësuar si “skandal” degradimin e rrugës. Njëkohësisht kanë kërkuar të zbatojnë masat e nevojshme për riparimin e rrugës në mënyrë urgjente.
Në anën tjetër, telegrafi u ka dërguar pyetje Komunës së Shtimes lidhur me këtë çështje por deri në momentin e raportimit nuk janë përgjigjur.
Kujtojmë se gjatë përurimit të kësaj rruge, kryetari i Komunës së Shtimes Qemajl Aliu pati thënë se është një projekt mjaftë i rëndësishëm për qytetarët me arsyetim se i lidh disa fshatra të kësaj komune.
“Kjo është rruga “17 shkurti”në Godanc, diku 2.8 kilometra dhe është e financuar nga Ministria e Ambientit dhe Infrastrukturës sëbashku me Komunën e Shtimes. Është një projekt që është implementuar në afate kohore dhe cilësore. Është shumë e rëndësishme për Komunën e Shtimes sepse i lidh fshatrat prej Pjetërshticës, Carralevës, Zborcit dhe Godancit të cilat dalin dalin në fshatin Gjyrkoc dhe përmes kësaj pa pasur nevojë të krijohet ngarkesë dhe trafik në qytetin e Shtimes, mund të shkojnë në Lipjan, Prishtinë, Ferizaj por edhe në aeroportin e Prishtinës”, pati thënë Aliu. /Telegrafi/