Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” ka njoftuar se si pasojë e defektit në një gyp është ndalur furnizimi me ujë për një pjesë të konsiderueshme të qytetit të Prizrenit si dhe vendbanime tjera. Ndërkohë në terren është hasur në vështirësi edhe sa i përket sanimit të defektit dhe kompania është angazhuar që shpërndarja e ujit për banorët e këtyre pjesëve të bëhet me autocisternë.
Në njoftim thuhet se “Hidroregjioni Jugor” është informuar nga një konsumator për një rrjedhje të ujit në gypin furnizues në rrugën “Tirana”.
“Menjëherë pas pranimit të njoftimit, ekipet e operimit dhe mirëmbajtjes kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë konstatuar vendndodhjen e defektit. Si pasojë e këtij defekti është ndalur furnizimi me ujë për një pjesë të konsiderueshme të qytetit të Prizrenit, konkretisht lagjet “Bajram Curri”, “Jeta e Re”, “Arbana” (pjesërisht), fshatrat Vlashnje dhe Landovicë, dhe pjesërisht disa rrugë dytësore”, thuhet në njoftim, raporton Telegrafi.
Tutje sqarohen edhe vështirësitë e hasura në terren për sanimin e prishjes.
“Gjatë ndërhyrjes, është gropuar vendndodhja e defektit dhe është konstatuar se ky defekt ndodhet poshtë bazamentit të një objekti komercial. Pas shumë përpjekjeve për sanimin e defektit, jemi përballur me vështirësi në sigurimin e vendit të punës, ku rrezikohet shembja e objektit, e cila mund të ketë pasoja fatale. Menjëherë kemi informuar ekipet e emergjencave dhe inspektoratin komunal, të cilët, pas verifikimit të vendit dhe situatës, na kanë urdhëruar zyrtarisht që të ndërpriten punimet për shkaqe sigurie”, thuhet në njoftim.
Në të njëjtën kohë është sqaruar se po shqyrtohen mundësitë për dislokimin e përkohshëm të këtij gypi, dhe si veprim tjetër të fillojë shpërndarja e ujit me autocisternë.
“Me qëllim të rikthimit të furnizimit normal për konsumatorët e prekur nga kjo situatë, jemi duke shqyrtuar të gjitha mundësitë për dislokimin e përkohshëm të gypit furnizues Ø 350mm. Deri në përfundimin e këtij dislokimi, kemi angazhuar që menjëherë të fillojë shpërndarja e ujit me autocisternë”, përfundon njoftimi i KRU “Hidroregjioni Jugor”. /Telegrafi/