Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, së bashku me Ministrin e Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, kanë vizituar fillimin e punimeve për ndërtimin e Zip line-it më të gjatë në rajon, me një gjatësi prej 1,107 metrash.
Ky projekt inovativ nis nga rruga për bjeshkë të Belegut dhe përfundon në rrugën për bjeshkë të Isniqit, duke përfshirë lokalitetet e Roshkodol, Zllonopoj dhe Milishevc.
Projekti, që është pjesë e iniciativës “Zhvillimi i turizmit në Komunën e Deçanit – Produktet turistike në Fshatin Alpin Bjeshkatar”, është mbështetur financiarisht nga Ministria e Zhvillimit Rajonal dhe Komuna e Deçanit.
Sipas postimit në Facebook nga kjo komunë, kryetari Ramosaj ka shprehur mirënjohje për Ministrin Damka, duke e cilësuar këtë projekt si një hap të rëndësishëm për promovimin e turizmit në Deçan.
“Falënderojm Ministrin Damka për mbështetjen financiare të këtij projekti madhor, i cili luan një rol të veçantë në zhvillimin e turizmit në qytetin tonë”, ka thënë Ramosaj, transmeton Telegrafi.
Ky projekt u realizua nga Drejtoria për Ekonomi dhe Zhvillim, me drejtorin Isuf Demhasaj, në kuadër të thirrjes për Programin për Zhvillim Rajonal 2024, që mbështet investimet kapitale në rajon.