Site icon Telegrafi

Debutoi në krye të Bayernit me fitore ndaj Dortmundit, Tuchel: Jemi në vendin ku e meritojmë

Thomas Tuchel ka debutuar si trajner i Bayern Munichut me një fitore spektakolare në Bundesliga.

Tekniku gjerman debutoi ndaj Borussia Dortmund, ku bavarezët triumfuan me rezultat 4-2, fitore që i dërgon ata në krye të elitës së futbollit gjerman.

Tuchel është shprehur shumë i lumtur me këto tre pikë, teksa ka thënë se Bayerni tani është në vendin që e meriton.

“Fitorja ndaj Dortmundit na ngjit në krye të kampionatit, do të thotë se tashmë jemi aty ku duhet. Tani nis një garë e cila do të vazhdojë deri në fundin e kampionatit dhe duhet të bëjmë punën tonë në ndeshjet pasardhëse”.

“Kjo është jeta te Bayern Munich dhe tani e kemi fatin në dorën tonë. Kam vendosur të mbaj një profil të ulët, edhe në respekt të Nagelsmann. Ai ishte trajneri që ka bërë punën në këtë sezon dhe nuk dua të bëj më shumë zhurmë seç duhet”, tha Tuchel.

Tutje trajneri gjerman deklaroi se nuk i feston golat me futbollistët e tij, pasi detyra e tij është që të nxjerr më të mirën nga ta.

“Jam shumë i lumtur nëse lojtarët shkëlqejnë, le të festojnë me tifozët. Por, ndoshta nuk do të më shihni duke festuar në fushë me ata”.

“Unë do të mundohem të nxjerr në pah potencialin e të gjithë skuadrës dhe të krijoj një ambient pozitiv ku të gjithë do të kenë dëshirë për të punuar. Për gjithçka tjetër, nuk dua të përfshihem”, deklaroi Tuchel. /Telegrafi/

Exit mobile version