Telegrafi

De Zerbi i bashkohet garës: Katër trajnerë në listën e ngushtë të Man United për zëvendësimin e Ten Hag

U desh vetëm një humbje nga Fulhami si pasojë e lëndimit të Rasmus Hojlund, që të ‘shpërthejnë’ lajmet që sugjeronin shkarkimin e trajnerit Erik Ten Hag.

Në hapësirën e disa ditëve, Manchester United është lidhur me të paktën pesë emra për të zëvendësuar teknikun holandez në stol.

Këta trajnerë raportohet se janë në listën e ngushtë të “Djajve të Kuq”:

Thomas Tuchel

Tashmë është e sigurtë se Tuchel do të largohet nga Bayerni në fund të sezonit. Ai raportohet se është më se i gatshëm që të rikthehet në Ligën Premier dhe do të dëshironte të drejtonte Man United.

Tekniku gjerman e ka dëshmuar se di të fitojë, pasi u shpall kampion i Ligës Premier në sezonin e tij të parë me Chelsean.

Julian Nagelsmann

Përzgjedhësi i Gjermanisë, Nagelsmann, është me shumë mundësi emri më i përfolur nga lista, veçanërisht për shkak të kohës së tij tek Leipzigu.

36-vjeçari momentalisht nuk e ka në plan të largohet, por gjithçka mund të ndodhë pas përfundimit të Euro 2024.

Simone Inzaghi

Një nga emrat që është futur së fundmi sipas raportimeve në listë, është edhe trajneri i Interit, Simone Inzaghi, kryesisht për shkak të aftësive të tij taktike.

Inzaghi është në rrugë të mirë për të fituar titullin e tij të parë të Serie A me Interin këtë sezon, teksa tashmë ka fituar dy herë Kupën e Italisë dhe tri herë radhazi Superkupën e Italisë.

Roberto de Zerbi

Trajneri i Brightonit, De Zerbi, është i fundit që është lidhur me një kalim tek United, pasi grupi INEOS raportohet se e kanë futur në listën e kandidatëve të mundshëm.

Në fakt, tekniku italian është edhe në listën e Manchester Cityt për të zëvendësuar potencialisht Pep Guardiolën, gjë që tregon shumë për aftësitë e tij./Telegrafi/