Ish-mbrojtësi i Chelseat dhe Arsenalit, David Luiz, ka thënë se ylli i Anglisë, Cole Palmer, është në një ‘nivel tjetër’.
Palmer ka pasur një ngritje të shpejtë gjatë 18 muajve të fundit, duke kaluar nga një lojtar fillestar me pak kontribut te Manchester City në një super yll të Ligës Premier.
Lojtari i dashur dhe i talentuar bëri 41 paraqitje për klubin e tij të fëmijërisë Man City para se të kompletonte një transferim prej 40 milionë eurosh në ‘Stamford Bridge’ në verën e vitit 2023.
Duke pasur parasysh mungesën e minutave nën drejtimin e Pep Guardiolës, ajo tarifë ngriti disa dyshime, por Palmer ka dëshmuar të jetë një marrëveshje e shkëlqyer për Chelsean që shpenzon shumë.
Palmer u emërua Lojtari i Vitit nga tifozët e Ligës Premier dhe Lojtari i Ri i Vitit në Ligën Premier pas një sezoni të parë të suksesshëm në ‘Stamford Bridge’ dhe ka vazhduar të impresionojë këtë sezon me 14 gola dhe gjashtë asistime.
Luiz e ka përshkruar Palmer si lojtar të nivelit botëror – madje duke e krahasuar atë me legjendën e Chelseat, Eden Hazard.
“Cole, ashtu si Eden, është në një nivel tjetër, ai është një lojtar i nivelit botëror”, tha fituesi i Ligës Premier dhe Ligës së Kampionëve për The Sun.
“Ai mori një vendim të vështirë për të lënë Man Cityn dhe ishte vendimi i duhur për të. Të gjithë tani mund të shohin lojtarin e mrekullueshëm që është. Po e shijoj teksa e shoh duke luajtur”.
“Ai është inteligjent dhe lojtarët inteligjentë janë të vështirë për t’u markuar. Ai do të kishte luajtur në ekipet e mia të Chelseat të vitit 2012 dhe 2017, për lojtarët e nivelit botëror ka gjithmonë një vend”, ka thënë Luiz.
Luiz kaloi pjesën më të madhe të karrierës së tij në Ligën Premier te Chelsea, por gjithashtu pati një periudhë te rivalët e tyre londinezë, Arsenal.
Ai për fund tek ekipi aktual i Chelseat tha se i pëlqejnë edhe dyshja Enzo Fernandez dhe Moises Caicedo, teksa shtoi se Nicolas Jackson dhe Robert Sanchez kanë mundësi të përmirësohen në vazhdim./Telegrafi/