Dashuria mbin nga besimi, jeton nga shpresa, ndërsa vdes nga mëshira. (Monteskie)
Abdirahim Idrizi
Poliklinika “Galaxy”
abdirahimidrizi@gmail.com
Kemi trashëguar, na kanë mësuar të gjitha civilizimet, të gjitha kulturat na thonë: Dojini të tjerët – harrojeni veten. Dashuria është ushqim për shpirtin, dashuria për shpirtin është e njëjta gjë si ushqimi për trupin. Dashuria të bën të fuqishëm, të jep krahë, dashuria t’i hap sytë për natyrën e sendeve dhe askush nuk mund të të gënjejë. Ti nuk lejon të të shtypin. Kanë arritur të praktikojnë formula të ndryshme që ti të mos e duash vetveten: ata kanë arritur sukses në masë.
Njeriu, nëse nuk e do vetveten, nuk mund ta dojë as edhe një njeri tjetër. Por vazhdojnë të na udhëzojnë: dojini të tjerët, dojeni njerëzimin, duaje Zotin, duaje natyrën, dojini fëmijët, prindërit. Por nuk të mësojnë ta duash veten, ata nuk kanë faj, kjo është trashëguar me mijëra vjet: ta duash veten do të thotë të jesh egoist, individualist. Ata e dënojnë dashurinë ndaj vetes. E si mund të duash ti, nëse nuk e do veten.
Misionarët, reformatorët socialë, shërbyesit kanë egon më të shprehur në botë. Kjo është e natyrshme, sepse ata e konsiderojnë veten si qenie më të larta njerëzore. Ata nuk janë të zakonshëm, njerëzit e zakonshëm e duan veten. Ata i duan të tjerët, ata i duan idealet e larta, ata i duan të gjithë. Me mijëra vjet priftërinjtë, hoxhallarët, pasanikët dhe politikanët e praktikonin këtë formulë, këtë fenomen, duke detyruar njerëzit të mos e duan veten. Kështu edhe prindërit vazhdonin ta zbatonin detyrën që e kanë trashëguar pa menduar, pa analizuar vazhdojnë t’i edukojnë fëmijët brez pas brezi dhe kështu fëmijët realizojnë detyrën e tyre në drejtim të prindërve.
Të gjitha këto janë obligime, janë projekte publike, që mbrohen me ligje. Kjo është detyrim? Ku është vetvetja, ku është ta duash veten. Ku është dashuria?
Dashuria nuk pranon detyrim. Obligimi është barrë, dashuria është gëzim, është shëndet. Njeriu që e do veten, e respekton veten, ai do dhe i respekton edhe të tjerët. Njeriu, i cili e do veten, kënaqet aq shumë nga dashuria dhe bëhet aq i lumtur, saqë dashuria fillon të prodhojë energji të freskët, fillon të rrezatojë edhe të tjerët. Nëse ti arrin ta përjetosh dashurinë, atëherë ti nuk mund ta duash vetëm veten. Nëse nuk e ndan dashurinë me njerëzit, me kafshët, me natyrën, t’i nuk e do as veten. Sa më shumë që jep dashuri, aq më shumë edhe merr. Jep dashuri që të marrësh dashuri.
E di, që kohën më të madhe po na e harxhojnë personat e paftuar. Njëzetekatër orët janë për të gjithë, por varet nga ne se si i shfrytëzojmë. Prandaj, njerëzit kërkojnë vazhdimisht shoqëri, ata nuk duan të mbeten me vetveten (ata nuk e njohin veten), ata duan të jenë me shoqëri, ata kërkojnë ta harxhojnë kohën me shoqëri.
Pasi i ikin realitetit, ikin nga obligimet, e zhvendosin vëmendjen, me shokët nëpër kafene, qëndrojnë me orë të tëra, me orë të tëra rrinë nëpër internet, me orë të tëra rrinë në TV-seriale të ndryshme, lexojnë me orë të tëra romane. Ata do të luajnë bixhoz, me letra ose shah, thjesht për ta vrarë kohën.
Ne kemi kohë të rritemi, kemi kohë për mbrojtje, kemi kohë për probleme. Ky është problemi kryesor që ne jemi të edukuar të mbrohemi. Pesë shqisat tona janë aktive vetëm kur jemi në rrezik. Këtu është edhe kërkesa jonë e parë, pesë shqisat tona t’i aktivizojmë e ta duam veten, pastaj fillojmë ta kontrollojmë rrethin tonë. Duaje veten, ngase duke dashur veten ti ke për ta njohur vetveten: duke punuar për veten, ti i aktivizon shqisat tua.
Nëse ti do, dashuria jote arrin shkallën e duhur, ja kjo është mundësia jote ta njohësh veten tënde (vetënjohja). Shumica e njerëzve jetojnë të pavetëdijshëm, i ikin realitetit, nuk arrijnë të përballen me fenomenin e kohës: ata nuk e kuptojnë se çfarë bëjnë, çfarë thonë, ata janë vëzhgues të rëndomtë, nuk janë vëzhgues të vërtetë. Ata janë të hipnotizuar duke shikuar, por duke mos parë asgjë: nuk kanë vizion të brendshëm. Vizioni, interesimi, kujdesi lind vetëm nga vëzhgimi i thellë. Atëherë ti mund të shohësh edhe me sy mbyllur. Kurse ti nuk sheh edhe me sy hapur, ti vret mendjen, merresh me të tjerët, me paragjykime, nxjerr konkluzione të kota.
Mbaje në mend: në qoftë se ti nuk kujdesesh për veten, ti nuk je altruist. Vetëm njeriu që kujdeset thellësisht për veten, mund të kujdeset edhe për të tjerët. Pjesa e dytë është: vazhdimisht të kërkosh lumturinë personale, të kujdesesh për gjithçka që bën, të kujdesesh për njerëzit sepse të pëlqen ta bësh, duke bërë mirë ti je i lumtur dhe i bekuar, duke qenë në shërbim të të tjerëve, ti e ndjen veten mirë.
Nuk bëhet fjalë për detyrim, se ti nuk sakrifikon asgjë, ti je i lumtur sipas mënyrës sate, kjo është e vërteta ndaj vetvetes. Ti, thjesht je i lumtur me atë që bën, sipas mënyrës sate. Ty të krijon një ndjenjë të ndihesh mirë. Lumturia, bukuria qëndron në atë se sa më shumë e kërkon lumturinë, aq më shumë u ndihmon të tjerëve të jenë të lumtur. Kjo është e vetmja mënyrë për të qenë i lumtur në botë. Do të thotë, lumturia jote varet nga rrethi yt se sa është ai i lumtur.
Nëse secili është fatkeq, atëherë si mund të ndihesh ti i lumtur, ti je i ndjeshëm. Në qoftë se secili njeri mëson të kujdeset për veten, e gjithë bota do të jetë e lumtur.
Njeriu vjen në jetë dhe shkon nga kjo jetë pa dëshirën e vet. Pasi jemi pa dëshirën tonë, ne kemi edhe obligime, vazhdojmë, mundohemi ta luajmë lojën e jetës. Por sa jemi të arsyeshëm me veten, në shumicën e rasteve harrojmë, nuk arrijmë të bëjmë llogari. E çuditshme është kjo botë. Bota ka njohur njerëz të mrekullueshëm, të çuditshëm, por edhe të çmendur. Në shumicën e rasteve njerëzit e mëdhenj në botë janë pak të çuditshëm, të çmendur, të luajtur dallohen në masë. Qëndrimi i tyre dallohet nga turma shkaku i krijimtarisë së tyre, ata janë të nderuar në familje në turmë, ata janë të kontrolluar në sjellje, nuk merren me gjëra të vogla.
Të pakët janë ata krijues që nuk shqetësohen për vdekjen e tyre, ata nuk janë fatkeqësi, nuk i frikohen vdekjes, nuk merren me gjëra të vogla. Shumica e tyre jetonin jetën e plotë dhe me interesim të shprehur, jeta e tyre është e mrekullueshme, jeta e tyre ishte plot dashuri. Në botë vetëm njerëzit që kanë njohur veten mund të jenë të lumtur dhe të gëzuar, por në shumicën e rasteve zgjedhin marrëzinë bashkë me gëzimin, fatkeqësinë me lumturinë.
Zgjedhjet tona janë pak të çuditshme, ju duhet të demonstroni një fytyrë, e cila u pëlqen njerëzve, të cilët ju vlerësojnë, por e cila fytyrë do të jetë e pranueshme për ta, për ideologjinë e tyre, për përcaktimin fetar të tyre, për traditat e tyre, kurse ju duhet ta ruani fytyrën tuaj, të vërtetën për vete. Ky dallim, kjo ndarje thellohet sepse kohën më të madhe na e kalojmë në bashkësi, në turmë duke punuar, e takuar me njerëzit, por shumë pak kohë kalojmë me vetveten. Ndaj e natyrshme është që maskat vazhdojnë të rriten, duke i ikur realitetit tonë, duke i ikur fytyrës tonë të vërtetë.
Ju do të vazhdoni t’u përshtateni të tjerëve, nga droja se çfarë do të thonë njerëzit, ju duhet t’i përshtateni çdo lloji të njerëzve që duan që t’ju shohin, ju nuk mund të jeni vetvetja. Kjo është dukuri në gjithë botën, askujt nuk i lejohet të jetë vetvetja, në çastin kur afër teje ka të pranishëm, ai harron vetveten, nuk interesohet më për atë sa çfarë mendimi do të ketë ai për ju. Nëse ju vëreni, se juve papritmas dikush ju përcjell, pavarësisht se kush, ju ndryshoni menjëherë, bëheni seriozë, të zakonshëm.
Kjo është maska përpara të tjerëve. Është e habitshme se ne u trembemi këtyre njerëzve, kurse ata frikësohen prej nesh, çdokush frikësohet, ne ndaj njëri-tjetrit.
Askujt nuk i lejohet të jetë vetvetja, ti shpreh ndjenjat e tua, ti shprehe realitetin tënd. Interesant secili dëshiron të ruhet ndaj njëri-tjetrit, kjo është e tmerrshme. Të vazhdosh t’i ikësh fytyrës sate të vërtetë.
Mos shko kundër vetes tënde, largoje maskën, sepse kjo shkatërron veten, edhe sikur të jesh i nderuar, i respektuar, kjo nuk e arsyeton jetën tënde, ju nuk jeni vetvetja, ju jeni i vetmuar. Çdo gjë në këtë botë do të mbetet këtu, këtu do t’i braktisni edhe mendimet, vetëm ndjenjat tuaja të vërteta, puna, përvoja juaj reale do t’ju shoqërojnë madje edhe pas vdekjes. Edhe vdekja juaj do të jetë normale. Krijimtaria juaj, qetësia e juaj do të jenë të arsyeshme.
Qëllimi i jetës suaj duhet të jetë që t’i ushqeni dhe mbroni ato vlera, të cilat ju mund t’i merrni me vete. Kur vdekja zhduk, shkatërron trupin tuaj, mendjen tuaj. /Telegrafi/