Edhe mbas studimit tim tridhjetëvjeçar, s’munda ta zbuloj ç’duan gratë në të vërtetë. (Sigmund Freud)
Abdirahim Idrizi
Poliklinika “Galaxy”
abdirahimidrizi@gmail.com
Mashkulli/femra bie në dashuri, sepse atij/asaj i pëlqen bukuria e tij/saj, mënyra e ecjes, zëri, sytë, flokët. Kjo është normale, është shumë e bukur, të gjitha këto janë të arsyeshme, por nëse ti bie në dashuri në flokët, sytë, herët apo vonë do të zhgënjehesh, sepse flokët e sytë janë interesante derisa i bën për vete. Që do të thotë se ti për shkak të bukurisë, për shkak të syve, ti bie në dashuri.
Këto janë të rëndësishme por kalimtare, herët a vonë bëhen të pakuptimta. Çdo dashuri fillon në mënyrë romantike, edhe pa pritur, mandej vjen fejesa, martesa, muaji i mjaltit dhe mbaron, përfundon gjithçka, sepse njeriu nuk mund të jetojë me ëndrra romantike, njeriu duhet të jetë real me vetveten dhe të jetojë me të.
Mirëpo, realiteti është krejtësisht tjetër. Kur e shikon një femër/mashkull, shikon bukurinë, sytë, flokët, shtatin, por nuk arrin të shikosh brendinë e tij/saj.
Kur dy njerëz bashkohen ata kërkojnë të zbulojnë brendinë e njëri-tjetrit, kurse gjërat e jashtme nuk vërehen. Kërkojnë të depërtojnë në thellësi të shpirtit të njëri-tjetrit. Ti harron vetullat, harron flokët, nuk i vëren sytë e bukur, ata nuk të tërheqin se ata i ke të njohur tashmë, nuk arrin të bëhesh hulumtues.
Njeriu, kur dashuron, është më aktiv, tërë kohën hulumton, pavarësisht se pjesa tjetër ikën. Ti nervozohesh gjithnjë e më shumë, por prapëseprapë ti vrapon deri në atë shkallë sa atë ta bësh për vete, kjo është pjesë e lojës.
Në fillim, mashkulli i vihet pas femrës, femra përpiqet të ikë dhe sapo mashkulli i afrohet dhe e kap femrën, atë çast ndryshon loja. Kur femra dorëzohet, mashkulli thotë se ia arrita qëllimit.
Mashkulli nga obligimet, nga kërkesat gradualisht fillon të largohet, femra nuk e vëren këtë fenomen, ajo është e përqendruar te fëmijët, zbehet kujdesi ndaj burrit. Kur i kujtohet bashkëshortes se ku e ka burrin, atëherë e vëren se kanë kaluar dhjetë vjet pa e vërejtur.
Tash, kur problemi merr përmasa të padëshirueshme, femra fillon me akuza: Ku ishe, pse u vonove, me kë po bisedon në telefon, me cilin ishe tërë natën: femra fillon të kujdeset jo për vete, por për burrin, fillon me akuza, me vërejtje, duke e anashkaluar veten. Të dy ndihen të mërzitur, burri sillet si zakonshëm, gruaja është e mërzitur, ata nuk munden pa njëri-tjetrin, por edhe nuk mund të jetojnë bashkë, sepse mes tyre nuk ka më interes për dashuri, atë janë të lidhur për ligjin, zakonin dhe për fëmijët, ata janë sakrificë të njëri-tjetrit.
Mos e gënje veten, këtu duhet të jemi realë, të vërtetë e të qartë. Nëse ata kanë qenë të dashuruar, atëherë ti duhet të kuptosh se këto gjëra janë të natyrshme, ndaj nuk ke nevojë të zemërohesh. Ti e do këtë njeri, ti e ke shok të jetës, ky është obligim jetësor prandaj edhe do të mbijetojë kjo dashuri.
Jetoni bashkë, por mos u mundo të dominoni, mos u përpiqni të zotëroni, mos ndërhyni në personalitetin e njëri-tjetrit. Kujdes vërejtjet, kritikat, nuk i arrini efektin e duhur, lejoni lirinë e individualitetit, se vetëm atëherë do të jesh i lirë. Në telefon ai/ajo nuk paraqitet, nëse burri vjen vonë, nëse gruaja vjen vonë, nuk duhet të pyesësh pse. Mos ndërhy në personalitetin e tjetrit, privatësia duhet të respektohet se vetëm atëherë ti ke lirinë personale.
Për cikërrima njerëzit grinden, por në thelb nuk janë të gatshëm t’i lejojnë njëri-tjetrin të kenë liri personale, ndaj edhe ata e humbin lirinë e vet. Njerëzit kanë shije të ndryshme. Ty të pëlqen diçka, kurse asaj jo. Kjo nuk do të thotë që ju të grindeni: ju duhet të kërkoni te njëri-tjetri të mirat. Të mirat janë pa fund.
Mos kritikoni, mos jepni vërejtje. Çdo burrë, kur shkon në shtrat, mendon se si ta kryejë punën, ai sillet kështu, sepse e ka pranuar si obligim. Gruaja vazhdon kritikat, kërkesat, harron pse shkojnë në shtrat, ata mashtrojnë njëri-tjetrin, e dinë se realiteti është ndryshe, por ata kanë humbur në ngatërresat e tyre të përditshme.
Nëse rastësisht gruaja të sheh ty me ndonjë femër tjetër, kjo është e mjaftueshme që t’i humbë disponimi, acarohen marrëdhëniet. Çfarë dashuri është, kur ti shkon në shtrat me detyrime. Ti pendohesh për këtë, ky është një moment shumë i rrezikshëm, si për burrin ashtu edhe për gruan: nëse burri e sheh të shoqen me një mashkull tjetër, të lumtur, të gëzuar – kjo mjafton të shkatërrohen marrëdhëniet.
Njerëzit nuk dinë të dashurojnë, nuk kuptojnë çka është dashuria: dashuria nuk pranon kritika, në dashuri nuk ka xhelozi, dashuria nuk cenon privatësinë e tjetrit, nuk përzihet në lirinë e tjetrit (por, për fat të keq, mendja e njeriut nuk ka arritur të ngrihet deri në lartësinë e duhur).
Ne jetojmë bashkë që ia bëjmë jetën njëri-tjetrit të lumtur, mirëpo duket se martesat tona janë obligim, detyrim për të lënë trashëgimtarë. /Telegrafi/