Site icon Telegrafi

Dardanët e rinj të pafat, mposhten nga Sllovenia U17

Kosova U17 ka pësuar humbjen e parë në kualifikimet për Euro 2020 ndaj Sllovenisë U17 me rezultat 2-0.

Sllovenët ishin nikoqir të Përfaqësueses tonë të shpresave, derisa pas vetëm 12 minutash lojë e shënuan golin e epërsisë me anë të Benjamin Sesko.

Pjesa e dytë ishte edhe më e pafat për Dardanët e rinj, pasi në minutën e 63-të, Andi Hoti u përjashtua nga loja pas kartonit të dytë të verdhë.

Sllovenia arriti që ta thellonte epërsinë në 2-0 me anë të Domen Zajsek (86′), për t’i fituar kështu tri pikët e para.

Edhe pse tanët kishin një paraqitje tejet të mirë dhe shanset për gol nuk munguan, nuk arritën ta nxjerrin së paku një pikë.

U17-shat tanë arritën para pak ditësh ta ndalonin në barazimin 1-1 Holandën U17, që janë kampion në fuqi.

Përfaqësuesja e shpresave është në Grupin 12-të me një pikë, ndërsa Uellsi U17 ka tri, aq sa ka tani edhe Sllovenia, ndërsa ‘Tulipanët’ janë me një, por me një ndeshje më pak, gjersa ky kampionat do të zhvillohet në vitin 2020 në Estoni. /Telegrafi/

Exit mobile version