Përfaqësuesja e Kosovës në konkurrencën e femrave ka shënuar fitoren e dytë në turneun “Turkish National Womens Cup Alanya 2023”.
Pas Estonisë, Dardanet kanë triumfuar kundër Kombëtares së Hong Kongut, madje duke e demoluar me rezultat 7:0
Fillimi i pjesës së parë ishte i baraspeshuar, por në vazhdim vashat tona kontrolluan më shumë lojën, bashkëvepruan mirë dhe në minutën e 30-të Albulena Guri shënoi për 1:0 ,duke kaluar Kosovën në epërsi dhe me të cilin rezultat edhe u mbyll pjesa e parë.
Pjesa e dytë nisi me një mbizotërim të plotë të Dardaneve, të cilat shënuan rrëbesh golash. Fillimisht shënoi Kaltrina Biçkaj në minutën 65-të e cila shënoi edhe në minutën e 79-të. Në vazhdim për 4:0 shënoi Valentina Metaj në minutën 85-të.
Serinë e golave e vazhdoi Jehona Shala e cila shënoi në minutën 89-të dhe 91-të dhe në fund për ta përmbyllur rezultatin prej shtatë golave u kujdes Donjeta Halilaj që sot barte edhe shiritin e kapitenit.
Përzgjedhësja Andersen në këtë takim provoi përbërjen e dytë, duke e pushuar përbërjen e parë për ndeshjen e fundit kundër Bullgarisë që llogaritet kombëtare më cilësore. Ndeshja kundër Bullgarisë zhvillohet më 21 shkurt në ora 11,00 sipas kohës lokale të Kosovës. /Telegrafi/
Honkongu – Kosova 0:7 (0:1)
Stadiumi : Kompleksi Sportiv Gold Cyti
Shikues: disa dhjetëra
Gjyqtaret: Cansu Tiryaki, Gulnura Akbarzade, Sevda Nuriyeva, Ganze n Durmush- Pakkan,
Shënues: Guri (30), Biçkaj(65 e 79 ), J. Shala (89 e 91) e D. Halilaj (930 për Kos.
Honkongu: Yuen Ki, Oi Laam, Chak Shum, Wing Sze, Pu KI, Yun Yi, Lai Mae, Pak Tung, Yee Hing, Wai Ki e Wai Lam.
Kosova: Behrami, Halilaj, Kryeziu. Vllasalija, Ramaj, Guri(Metaj), Lulaj, Bjarami, Zeka(Biçkaj), J. Shala.