Lajme të mira për Amir Abrashin dhe Frieburgu pasi mesfushori nuk është lënduar shumë siç është raportuar.
Rezonanca magnetike, të cilës i është nënshtruar mesfushori shqiptar pas dëmtimit që pësoi në kaviljen e djathtë në miqësoren me Vaduzin ka treguar se nuk bëhet fjalë për diçka serioze, madje javën e ardhshme 26-vjecari do t’i bashkohet skuadrës në stërvitje.
Ndërhyrja e futbollistit të Vaduzit ishte e frikshme, madje u mendua edhe me e keqja, që lojtari shqiptar të mungonte për disa muaj, por fatmirësisht shkalla e dëmtimit nuk rezultoi e rëndë.
Freiburgu vijon fazën përgatitore në Spanjë, për të qenë gati për pjesën e dytë të sezonit.
Ndeshja e parë në Bundesligë për skuadrën e Abrashit do të jetë me Bayern Munchenin në shtëpi në kuadër të javës së 17-të.
Gjatë këtij sezoni mesfushori i kombëtares shqiptare është aktivizuar në 11 ndeshje të Bundesligës dhe ka shënuar një gol, në fitoren 1-3 me Werder Bremenin, transmeton ss.
Për shkak të një dëmtimi në kokë Abrashi ka munguar në disa takime.
Rezultatet e rezonancës magnetike kanë ngrohur edhe ambientin kuqezi, pasi ky lojtar mbetet shumë i rëndësishëm për kombëtaren që më 24 mars do të luajë në Palermo eliminatoren me Italinë.