Kampioni i Kosovës në futboll, Ballkani nga Suhareka, do të debutojë nesër (e martë) në Ligën e Kampionëve, ku do të ballafaqohet me skuadrën nga Lituania, Zalgiris.
Kjo ndeshje është e vlefshme për raundin e parë kualifikues të kësaj gare dhe zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” me fillim nga ora 20:00.
Trajneri Ilir Daja para ndeshjes deklaroi se Zalgiris është një rival i fortë për shkak të përvojës së madhe në garat evropiane.
“Kemi një ndeshje të vështirë, kjo jo për faktin që ekipi kundërshtar është në vazon e parë për shkak të eksperiencës që ka në kompeticionet evropiane. Është një skuadër që ka fituar disa tituj në kampionatin lituanes, tituj në kampionat, kupa dhe superkupa”.
“E shton vështirësinë edhe fakti që janë në periudhë gare, e kanë ritmin e ndeshjes sepse janë në pikun e kampionatit atje dhe kanë bërë një kampionat të mirë. Gjithsesi kjo nuk do të thotë që ne do të futemi të dorëzuar për arsye që e dimë që është hera e parë për shumë lojtarë që marrin pjesë në gara të tilla dhe direkt në eliminatoret e Ligës së Kampionëve, por që jemi përgatitur që të japim më të mirën e mundshme”, citon KosovaPress fjalët e trajnerit.
Trajneri i Ballkanit më pas foli edhe rreth taktikës që do ta përdorë në këtë sfidë dhe ka dy variante në dispozicion.
“Natyrshëm që nuk mund të hyjë në detaje, sepse do t’ia prezantoja edhe kundërshtarit, por meqë ma bëtë pyetjen direkt, do të them që kemi vendosur që manovrën ta ndryshojmë pak, sepse dihet që këto ndeshje janë me eliminim dhe nuk janë si puna e kampionatit që edhe po bëre një hap ke mundësi që ta rikuperosh rrugës. Këtu të jepet mundësia dy herë nga 90 minuta, kështu që duhet të jemi të kujdesshëm”.
“Ne jo vetëm që do të tentojmë të sulmojmë, por duhet të mos humbasim asnjë moment ekuilibrin sepse kundërshtari ka lojtarë të shpejtë dhe mund të na godasë, kështu që kemi përdorur dy variante që do t’i prezantojmë nesër”, ka thënë Daja.
Pas konferencës, Ballkani zhvilloi edhe stërvitjen e fundit në “Fadil Vokrri” me skuadrën që ishte e kompletuar.