Telegrafi

Daçiq thotë se Serbia nuk mund të dëgjojë SHBA-të që ta njohë Kosovën

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se është avokuesi i raporteve më të mira të mundshme me Shtetet e Bashkuara, por që Serbia nuk mund t’i dëgjojë ta njoh Kosovën.

Në shënimin e “Ditës së Amerikës”, në Kuvendin e Serbisë, që është organizuar nga Kongresi për miqësi serbo-amerikane, Daçiq tha se kushdo që tenton që përmes presionit ta detyrojë Beogradin të bëjë diçka të tillë, nuk do të ketë sukses, transmeton Telegrafi.

“Një qasje e tillë për çështjen e zgjidhjes së problemit në Kosovë asesi nuk do të ketë sukses. Ne kemi nënshkruar marrëveshjen e Brukselit dhe mbetemi partner konstruktiv në dialog”, shtoi kreu i diplomacisë serbe.

Ai madje theksoi se marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë nuk kanë kurrfarë lidhje mes raporteve të Beogradit me vendet perëndimore.

“Kur e ka vizituar për herë të fundit Serbinë ndonjë president i Shteteve të Bashkuara? Shumica prej nesh as që kemi qenë të lindur atëherë. Vizita e fundit e një kryeministri britanik ishte ajo e Margaret Thatcher. Ata vizitojnë çdo shtet tjetër, mendoni se nuk e vizitojnë Serbinë sepse nuk është e fuqishme? Jo! Atëherë si mund të kemi marrëdhënie partneriteti me shtet që nuk tregojnë interesim për ne”, tha Daçiq. /Telegrafi/