Kryetari i Kuvendit të Serbisë dhe lideri i SPS-së, Ivica Daçiq, ka bërë të ditur se do të jetë kandidat për president të Serbisë nëse Aleksandar Vuçiq nuk kandidon në zgjedhjet presidenciale.
Daçiq foli edhe rreth vendimit që të kenë një listë zgjedhore ndaras nga SNS-i i Vuçiqit.
Ai në programin e mëngjesit të televizionit Kurir ka paralajmëruar se Kuvendi i Serbisë do të shpërndahet më 15 shkurt. Pas kësaj do të shpallen zgjedhje të parakohshme, sqaroi ai, raporton b92.
“Duhet të shpall zgjedhjet presidenciale më 2 mars. Sot është miratimi i ligjeve zgjedhore për të cilat kemi rënë dakord me opozitën, të cilat mundësojnë kontroll të gjerë të procesit zgjedhor. Nuk morën pjesë vetëm Dragan Gjilas dhe Vuk Jeremiq”, tha kreu socialist i Serbisë
Ai kujtoi se koalicioni SNS dhe SPS vazhdon prej 10 vitesh dhe theksoi se janë krenarë për rezultatet që kanë arritur. Daçiq ka shpjeguar edhe pse po garojnë të ndarë në zgjedhjet parlamentare.
“Matematikisht fitojmë më shumë nëse dalim në dy lista. Këtu nuk ka probleme, por është një vendim politik racional. Rëndësi ka që çdo gjë të shkojë mirë dhe dikush të mos thotë nesër se zgjedhjet janë jolegjitime. Tashmë opozita pretendon se do të fitojë. Por, edhe po përgatiten për demonstrata. Kjo është sjellje e panatyrshme”, tha Daçiq. /Telegrafi/