Kur ditëlindja po afron dhe ti mezi pret ta festosh, me siguri je duke përgatitur planet për të dalë, konfirmuar rezervimet për darkë dhe pyetur veten se çfarë ka planifikuar partneri yt për këtë vit. Por, nëse vjen dita dhe – gjysma e ditës ka kaluar – partneri yt ende nuk të ka dërguar as një mesazh të thjeshtë: “Gëzuar”, atëherë kjo mund të jetë disi zhgënjyese
Para se të shqetësohesh për atë që mund të nënkuptojë kur partneri harron ditëlindjen tënde, mbaj parasysh që mungesa e urimit mund të ketë shumë arsye të ndryshme… disa prej të cilave nuk kanë lidhje fare me marrëdhënien tuaj.
Mendimi i parë kur partneri harron një datë të rëndësishme mund të jetë që nuk i intereson, por nuk është gjithmonë kështu. Edhe pse mund të duket e pabesueshme dhe një klishé e vjetër, ndonjëherë njerëzit harrojnë data ose plane të rëndësishme sepse kanë shumë gjëra në mendje.
“Jeta mund të ndërhyjë dhe ti nuk do të jesh gjithmonë gjëja e parë që ata mendojnë,” thotë eksperti i marrëdhënieve, James Preece. “Ata mund të jenë duke u shqetësuar për diçka, kështu që diskutojeni.”
Ja si të reagosh më mirë pasi partneri yt harron ditëlindjen tënde:
Nëse marrëdhënia juaj është e re
Nëse keni kohë të shkurtër bashkë, një ditëlindje e harruar nuk do të thotë se ka një problem më të thellë në marrëdhënien tuaj.
“Nëse sapo keni filluar të dilni bashkë, nuk është ndonjë çështje e madhe,” thotë Preece. “Ata mund të mos kenë dashur të bëjnë një organizim të madh nga frika se mos e teprojnë.”
Dhe nëse marrëdhënia është shumë e re, mund të ndodhë që partneri yt as që e dinte se ishte ditëlindja jote, ndaj mund t’i japësh pak hapësirë.
Nëse ata kërkojnë falje
Nëse keni kohë bashkë dhe ata harrojnë, përsëri kjo nuk është automatikisht një gjë e keqe. “Nëse ky person është partneri perfekt në çdo aspekt tjetër, i kujdesshëm dhe i dashur, atëherë lëre të kalojë dhe mos e bëj një dramë të madhe,” këshillon Susan Trombetti, ndërmjetëse dhe CEO e “Exclusive Matchmaking”.
“Sidomos nëse ndihen vërtet keq që harruan. Lëri të provojnë të ta kompensojnë.” Po, fakti që harruan është i bezdisshëm dhe mund të të lëndojë, por nëse tregojnë keqardhje dhe duan me gjithë zemër ta bëjnë më mirë, ndoshta mund t’i falësh dhe të pranosh faljen e tyre.
Nëse nuk duken se kujdesen
Më e rëndësishme se harresa e ditëlindjes është reagimi i partnerit kur e kupton që e ka harruar.
Nëse partneri yt nuk duket fare i shqetësuar dhe nuk ka asnjë plan për ta përmirësuar situatën, mund të jetë koha për një bisedë më serioze për rëndësinë që ke në prioritetet e tyre.
Çdokush dëshiron dhe meriton të ndihet i veçantë dhe nëse ata nuk e bëjnë këtë as zakonisht dhe as në ditëlindjen tënde, atëherë kjo të tregon gjithçka që duhet të dish. /Telegrafi/