Të kapësh të dashurin/ën duke të tradhtuar është një gjë dhe të zbulosh se ai/ajo të ka tradhtuar në një kohë që ti je karantinuar brenda një shtëpie me të, është diçka tjetër. Imagjinoje veten për një çast në këtë situatë. Çfarë vendimi do të merrnit?
Do të ndaheshit edhe pse s’keni ku të shkoni? Do të flisnit dhe pastaj do të ndaheshit nëpër dhoma?
Ok, le ta pranojmë që nuk është skenar aspak i thjeshtë, por çfarë ka rëndësi fillimisht është të mbroni shëndetin tuaj mendor.
Edhe pse mendimi i parë është t’i ulërini në fytyrë me sa keni fuqi, psikologët sugjerojnë të qetësoheni dhe të bëni një analizë mendimesh.
Kështu as partneri juaj nuk do të përgatitet për “mbrojtje” dhe do të jetë më i gatshëm për të shpjeguar situatën. Nuk ka rëndësi nëse i gjetët mesazhet më ish-in apo me dikë të ri në telefon, e rëndësishme është ta bëni të flasë hapur.
Gjeni një moment të përshtatshëm të ditës dhe thuajini që keni parë mesazhet dhe se doni të diskutoni rreth kësaj. E dimë që ju tingëllon paksa e pabesueshme kjo lloj gjuhe në një moment të tillë, por tregohuni të zgjuar.
Ta sulmosh partnerin duke i thënë gjëra që e lëndojnë thjesht do përkeqësojë gjendjen… Kujto që ndoshta do të duhet të jetosh ende me të nën një shtëpi.
A duhet të ndaheni?
Kujtoni që stresi tani është dyfish më i madh se në kushte normale, prandaj mos merrni vendime të nxituara, këshillon Anabel.
Nëse bindeni që lidhja mund të kthehet si më parë dhe çfarë zbuluat s’është serioze, jepini vetes kohë pa marrë vendime. Nëse ky gabim vjen i përsëritur, mund ta konsideroni ndarjen, por në çdo rast mendohuni mirë. /Telegrafi/