Site icon Telegrafi

Crystal Palace ndal serinë e fitoreve të Man Cityt, Qytetarët e përfundojnë vitin me barazim (Video)

Manchester City nuk ka mundur të shkoj më shumë se një barazim pa gola (0-0) në udhëtimin e tyre në Londër në ndeshjen ndaj Crystal Palace.

Pep Guardiola dhe skuadra e tij kanë dështuar të vazhdojnë serinë dhe rekordin e fitoreve, pasi janë ndalur në ndeshjen e 19-të dhe në fund ishin afër edhe të humbnin.

Shtrëngim duarsh nga Pep Guardiola dhe Roy Hodgson (Getty Images)

Pjesa e parë e takimit ishte thuajse e barabartë, me të dyja skuadrat që krijuan nga dy raste për gol, por asnjëra nuk e gjeti atë, teksa u karakterizua edhe me lëndimin e sulmuesit brazilian, Gabriel Jesus, i cili la fushën mes lotëve në minutën e 22-të.

Të parët ishin vendasit që rrezikuan me anë të Christian Benteke (9′) dhe Patrick van Aanholt, por portieri Ederson ishte në vendin e duhur.

Momenti i lëndimit të Jesusit (Getty Images) 

Te City ishte i inkuadruari në lojë Sergio Aguero që tentoi në dy raste (29′, 45′), por rrjetat mbetet të paprekura dhe skuadrat shkuan në pushim pa gola.

Në pjesën e dytë, Qytetarët u hodhën në sulm me të gjitha forcat duke krijuan disa raste të mira për gola me anë të Ilkay Gundogan (57′), Leroy Sane (63′) dhe Kevin de Bruyne (81′), por goli mungoi në secilin rast.

 Gundogan gjatë goditjes së tij (Getty Images)

Megjithatë, rastin më të mirë e patën vendasit, të cilët humbën një penallti në minutën e parë shtesë, pasi goditjen e Luka Milivojevic e priti portieri Ederson.

Kështu, pas 90 minutave lojë ndeshja përfundoi pa gola (0-0), rezultat ky që më shumë i shkoi për shtati vendasve të Crystal Palacet.

Milivojevic dështoi nga pika e bardhë (Getty Images)

Pas këtij barazimi, City vazhdon të mbetet lider i kampionatit me 59 pikë apo 14 më shumë se vendi i dytë, ndërsa Palace renditet në vendin e 17 me 19 pikë.

Në ndeshjen e ardhshme, Qytetarët luajnë në shtëpi ndaj Watfordit, ndërsa Palace udhëton te Southamptoni. /Telegrafi/

 

Exit mobile version