Shpesh ndodh që pas vitit të parë të martesës, femrat fillojnë të bëjnë ekzaminime të ndryshme tek gjinekologu dhe endokrinologu. Poashtu, hulumtohen pak ose pothuajse fare çrregullimet e funksionit të tiroides tek meshkujt si shkaktarë të mundshëm të infertilitetit
Ass.dr.Merita Emini Sadiku, Mr.Sci.PhD
Interniste-endokrinologe
044 161 069
Poliklinika “endoCLINIC”
Duke pasur parasysh që shkaktarët e infertilitetit janë në përqindje të njëjtë, pra 40% e shkaqeve janë tek çrregullimet që i takojnë vetëm femrave dhe poashtu 40% e shkaqeve çrregullime që i takojnë vetëm meshkujve, ndërsa vetëm 20% shkaku mbetet i panjohur, atëherë me plotë të drejtë në të njëjtën kohë duhet të fillojnë ekzaminimet si tek meshkujt edhe tek femrat.
Rreth 1/3 e femrave të cilat kanë problem me mbetjen shtatzënë kanë problem me tiroiden.
Sa i përket çrregullimeve që prekin infertilitetin e që kanë të bëjnë me funksionin e tiroides, më e shpeshtë është hipotireoza, tiroiditi kronik autoimun, hipertireoza, pastaj çrregullime tjera endokrinologjike si hiperprolaktinemia, sindroma e ovarit policistik, hiperandrogenizmi, hipogonadizmi i origjinave të ndryshme etj.
Këto sëmundje prekin direkt fazat e ndryshme të ciklit menstrual duke shkaktuar më pas ovulacion jo të rregullt apo çrregullime të fazës së hershme të implantimit të zhvillimit embrional.
Më shumë se gjysma e pacientëve me hipotireozë kanë çrregullime menstruale. Rreth 46.1% e pacientëve infertile me hipotireozë manifestohen njëkohësisht me hiperprolaktinemi.
Në popullatën tonë, por edhe në vende të ndryshme, hulumtohen pak ose pothuajse fare çrregullimet e funksionit të tiroides tek meshkujt si shkaktarë të mundshëm të infertilitetit.
Te meshkujt, aktiviteti i shtuar i tiroides apo tirotoksikoza shkakton çrregullim të lëvizshmërisë së spermës dhe në aktivitet të ulët të tiroides apo hipotireozëm ndodh çrregullim i morfologjisë së spermës. Në të dyja gjendjet mund të vij deri tek çrregullimi erektil.
Gjithashtu hormonet e tiroides janë shumë të rëndësishme edhe për prodhimin e estrogjenit dhe progesteronit, mungesa e të cilave mund të shkaktojë infertilitet pavarësisht nivelit të lart të prolaktinës.
Aktualisht, dozat e rekomanduara ditore gjatë shtatzënisë që më parë ishin 200 μg/ditë tani janë rritur në 250 μg/ditë.
Për një shtatzëni të suksesshme TSH duhet të jetë <2.5. Gjithashtu niveli i antitrupave tiroiden (anti TPO dhe anti Tg) në sëmundjet autoimmune të tiroides duhet të jetë në nivele sa më të ulëta që të jetë e mundur.
Prandaj, funksioni i tiroides ka rëndësi kyçe në fertilitet dhe depistimi i hershëm dhe trajtimi adekuat mund të rris shanset për shtatzëni dhe të shkurtojë kohën e humbur në adresa të gabuara.
Pra, njëkohësit trajtohuni, femra dhe meshkuj, sapo të keni filluar të brengoseni që të keni fëmijë. /Telegrafi/