Mesfushori i Bayern Munichut, Philippe Coutinho, i është nënshtruar një ndërhyrjeje të vogël kirurgjike në nyjën e këmbës së djathtë të premten dhe brenda dy javësh pritet të nisë me programin rehabilitues.
27-vjeçari, i cili është i huazuar nga Barcelona, pritet të jetë në gjendje të luajë kur të rikthehet sezoni i Bundesligas, i cili është pezulluar që nga mesi i marsit, si pasojë e pandemisë së coronavirusit.
Braziliani deri më tani ka dështuar të lë përshtypje te kampioni gjerman, prandaj pritet ta vazhdojë karrierën diku tjetër nga sezoni i ardhshëm.
Klube të shumta angleze janë shprehur të interesuar për Coutinhon, i cili bëri emër pikërisht në Ligën Premier, te Liverpooli.
Bundesliga pritet të rifillojë dikur gjatë muajit të ardhshëm (data e saktë nuk është caktuar ende), ndërsa ndeshjet do të zhvillohen pa spektatorë. /Telegrafi/