Site icon Telegrafi

“Contour Global” ia kërkon 20 milionë euro Qeverisë, Ministria e Ekonomisë e quan të pathemeltë këtë kërkesë

Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike ka bërë të ditur se 20 milionë euro ia ka kërkuar “Contour Global” Qeverisë së Kosovës, si kompenzim për shpenzimet e projektit përmes një letre të 24 majit, në të cilën në të njëjtën kohë e ka lajmëruar për shkëputjen e kontratës.

MEPTINIS përmes një njoftimi në Facebook, ka bërë të ditur se letrën e “Contour Global” e ka pranuar të dielën më 24 maj.

“Jemi të befasuar dhe të zhgënjyer që Contour Global ka zgjedhur të njoftojë se synon shkëputjen e marrëveshjeve me Qeverinë dhe të parashtrojë kërkesën e pathemeltë dhe të padrejtë për kinse 20.053.125,63 euro shpenzime të zhvillimit të projektit. Para se drejtuesit e Contour Globalit të përgatisin letrën, ministrja Hajdari i ka ftuar ata në një telekonferencë për të diskutuar çështjet e projektit të termocentralit “Kosova e Re”. Në vend të përgjigjes ndaj ftesës sonë, Contour Global ka dërguar letrën për të njoftuar se synon shkëputjen e kontratave dhe për të kërkuar pagesën”, thuhet në njoftimin e MEPTINIS-së.

Ministria ka theksuar se letra është vazhdimësi e përbuzjes që “Contour Global” ka shfaqur ndaj detyrimeve të veta kontraktore.

Lexo po ashtu Contour Global ndërpret planet për ndërtimin e termocentralit 'Kosova e Re'

“Më 10 mars, Qeveria ka rithemeluar komitetin drejtues të projektit “Energjia nga Linjiti”, që përfshin termocentralin Kosova e Re. Më 12 mars, ministrja Hajdari ka njoftuar përfaqësuesit e Contour Globalit se kërkon diskutime të mëtejshme rreth projektit, në veçanti rreth parakushteve që palët duhej të përmbushnin. Kurse më 17 mars, Contour Global ka njoftuar publikisht tërheqjen e njëanshme nga projekti, duke hedhur poshtë detyrimet kontraktore, duke fajësuar pa bazë Qeverinë dhe duke shprehur spekulime të pabaza mbi çështje politike, në dëm të Republikës së Kosovës.

Si ministre përgjegjëse për energjinë dhe kryesuese e komitetit drejtues të projektit, Ministrja Hajdari ka trajtuar çështjet me kujdes dhe ka bashkërenduar veprimet me komitetin që nga rithemelimi i tij”, thuhet në njoftim.

Siç është bërë e ditur, Hajdari tashmë ka njoftuar anëtarët e komitetit për letrën e 24 majit dhe ka thirrur mbledhjen e radhës për të shqyrtuar rastin.

“Znj. Hajdari është angazhuar gjithashtu për t’i siguruar komitetit mbështetjen e nevojshme për vendimmarrjen e duhur. Mbështetja do të përfshijë këshillat juridike nga një ekip i përgatitur dhe i dëshmuar. Komiteti drejtues i projektit merr vendime në emër të Qeverisë. Si në çdo rast, Qeveria Kurti do të veprojë në përputhje të plotë me ligjin dhe interesin publik, duke u angazhuar për zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, është thënë në njoftimin e ministrisë. /Telegrafi/

Exit mobile version